Bashkimi Evropian shpreson që Kosova të dëgjojë mesazhin e bllokut dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë sa i përket vendimeve të fundit, që janë cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku e ka bërë të qartë qëndrimin sa i përket mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në Kosovë nga autoritetet, por edhe synimit të Qeverisë së Kosovës që të hapë për trafikun urën mbi lumin Ibër.
Ai tha se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha Stano.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, në qershor përmes një raporti dërguar shteteve anëtare kishte rekomanduar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Atëbotë, burimet diplomatike i thanë Radios Evropa e Lirë se në bllok nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Por, si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Stano tha se blloku evropian ai ka përcjell qëndrimin Qeverisë së Kosovës në shumë mënyra dhe nuk është vetëm BE-ja që po kundërshton vendimet e fundit të autoriteteve kosovare.
“Praktikisht të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë administratës në Prishtinë të mos angazhohet në këtë seri hapash të pakoordinuar, të njëshëm dhe negativë. Shpresoj që ata më në fund do të dëgjojnë mesazhin tonë dhe të na ndalojnë që të shqyrtojmë se çfarë lloje masash ne do të vendosnim në përgjigje [ndaj Kosovës] nëse situata nuk ndryshon”, tha Stano.
Më 5 nëntor, autoritetet në Kosovë mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë, pasi thanë se ato vepronin në veri të Kosovës pa licencë.
Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara e kritikuan këtë vendim. Uashingtoni tha se veprimet e pakoordinuara të Kosovës “përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.
Reagon Qeveria e Kosovës
Nga Qeveria e Kosovës kanë theksuar se masat nuk janë zgjidhje. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu shtoi se masat kanë qenë dhe janë të padrejta, derisa pyet se çka ndërmori BE ndaj Serbisë për sulmin e Banjskës.
“Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë. Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmorri BE ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon?”, thotë Kryeziu.
Ai thekson nevojën për mbështetje nga BE e SHBA-të për respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.“Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, potencon zëdhënësi i Qeverisë për Gazeta Blic. (INA)