BE-ja pret nga Beogradi harmonizim të politikës për çështjen e ujgurëve në Kinë

0

“Presim që Serbia të sillet në përputhje me obligimet për harmonizim të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me politikën e Bashkimit Evropian”, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë nga shërbimi për media i Bashkimit Evropian.

Në këtë mënyrë, Brukseli është përgjigjur ndaj lajmit se Serbia ka mbështetur deklaratën, me të cilën, shkelja e të drejtave të njeriut dhe të pakicave ndaj ujgurëve në krahinën kineze Ksinjiang definohet si “luftë kundër terrorizmit dhe ektremizmit”.

Me mbështetjen e kësaj deklarate, Serbia është gjetur në anën e kundërt të shteteve evropiane dhe të botës, të cilat, në mënyrën më të ashpër, e dënojnë fushatën kineze të represionit mbi pakicën myslimane të ujgurëve, para së gjithash dëbimet masive të këtyre njerëzve në të ashtuquajturat “kampe për riedukim politik”.

Nga Qeveria e Serbisë dhe Ministria e saj e Punëve të Jashtme, Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje në pyetjen se kush dhe për çfarë arsyeje ka sjellë vendimin që Serbia ta mbështesë deklaratën.

Në faqen zyrtare të internetit të kësaj ministrie dhe as në atë të misionit të Serbisë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë nuk është publikuar që Beogradi ka nënshkruar deklaratën.

“Serbia udhëheq politikë të vazhdimësisë ndaj Republikës Popullore të Kinës, duke respektuar integritetin e saj territorial, ndërkaq, çështjet e brendshme Kina duhet t’i zgjidhë pa presionin e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Verolub Arsiq, zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe, parti kjo në pushtet, si dhe anëtar i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Kinën në Kuvendin e Serbisë.

Duke komentuar lidhur me atë se pse është ky veprim i Beogradit në shpërputhje me politikën e BE-së, në të cilën Serbia synon anëtarësimin, Arsiq ka thënë se për këtë mund të flitet “kur Serbia të marrë pjesë në vendimmarrje të Bashkimit Evropian”.

“Deri atëherë, Serbia është shtet i pavarur dhe sovran, si dhe udhëheq politikë të mëvetshme, në përputhje me interesat e saj, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Arsiq.