Të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian pritet të miratojnë një listë gjithëpërfshirëse të produkteve amerikane që do t’i nënshtrohen tarifave duke filluar nga java e ardhshme, në përgjigje të tarifës prej 25 për qind të vendosur nga presidenti aktual i SHBA Donald Trump për çelikun dhe aluminin evropian muajin e kaluar.
Tarifat evropiane do të futen në tri faza:
Nga e marta, më 15 prill, pritet të vendosen tarifa prej 25 për qind në listën fillestare të produkteve, ku pritet të përfshihen motoçikletat, varkat luksoze dhe lëngu i portokallit. Lista origjinale përfshinte gjithashtu burbon amerikan, verë dhe produkte qumështi, por ato u hoqën pas lobimit nga industria evropiane e verës.
Fillimisht, këto masa duhej të hynin në fuqi më 1 prill, por u shtynë për të lënë hapësirë për negociata. Megjithatë, Trump menjëherë hodhi poshtë propozimin e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për një marrëveshje pa tarifa.
Faza e dytë, e cila do të fillojë në mes të majit, do të përfshijë tekstile, produkte lëkure, vezë, fill dentar dhe shpendë.
Faza e tretë është planifikuar për 1 dhjetor, kur do të vendosen kundërmasa për produktet amerikane të sojës dhe bajameve. Soja, e cila përdoret si ushqim për kafshët, ka vlerën më të lartë të eksportit në mesin e produkteve bujqësore amerikane të eksportuara në Evropë.
Ndërkohë sot hynë në fuqi tarifat e reja amerikane prej 20 për qind për importet nga BE, por këto kundërmasa europiane që po votohen sot në Bruksel nuk vlejnë për këto lëvizje të fundit të Trump. Komisioni Evropian po përgatit kundërmasa shtesë që mund të njoftohen që në fillim të javës së ardhshme.