BEG nuk ka licencë e as para për ngrohje, kishte humbje të mëdha

Ballkan Energji Grup BEG – Prodhimtaria nuk ka bazë ligjore për t; menaxhuar me ngrohtoret, nuk ka obligim të vazhdojë aktivitetin në sezonin e ri të ngrohjes, as nuk ka asnjë mundësi financiare apo aftësi kreditore për të blerë lëndë djegëse për prodhimin e energjisë termike. Kështu ka theksuar sot kompania BEG – Prodhimtaria në kumtesë pas informimit se duhet të vazhdojë furnizimin me energji termike edhe në sezonin e ri të ngrohjes deri në përzgjedhjen e bartësit të ri të licencës.

Prej kompanisë theksojnë se në përputhje me nenin 51 të Ligjit për energjetikën, kishin detyrim ligjor që të vazhdonin ushtrimin e aktivitetit, deri në skadimin e afatit prej 90 ditë për zgjedhjen e ushtruesit të ri të aktivitetit, i cili tashmë ka skaduar. Gjatë kësaj periudhe, thonë ata, BEG Prodhumtaria ka vazhduar të kryejë aktivitetin dhe ka kryer të gjitha aktivitetet e nevojshme në ngrohtoret në mënyrë që mbajtësi i ri i licencës të mund të fillojë pa probleme sezonin e ri të ngrohjes.

“BEG Prodhimtaria nuk ka bazë ligjore për shfrytëzimin e ngrohtoreve sepse marrëveshja është ndërprerë dhe pronari i ri i ngrohtoreve ka kërkuar dorëzimin e tyre. Gjithashtu, kompania është në pamundësi financiare për të kryer aktivitetin, për shkak të humbjeve të mëdha të shkaktuara në sezonin e kaluar të ngrohjes si pasojë e rritjes disafish të kostove për blerjen e energjisë dhe energjisë elektrike, të cilat nuk mbuloheshin nga tarifat e miratuara nga Komisioni Rregullator për Energjetikë. Për këto arsye më 09.06.2022 BEG – Prodhimtaria ka paraqitur kërkesë në KRRE për ndërprerjen e licencës me qëllim zgjedhjen e menjëhershme dhe pa probleme të bartësit të ri të licencës për aktivitetin e prodhimit të energjisë termike për sezonin e ri të ngrohjes. Më datë 20.06.2022 KRRE ka marrë vendim për ndërprerjen e licencës së BEG-Prodhimtari”, thuhet në kumtesë.

Në lidhje me marrëveshjen për bashkëpunim afarist-teknik ndërmjet BEG Prodhimtari dhe SHA “ESM”, thonë se vlefshmëria e saj ka qenë deri më 31 mars të këtij viti, gjegjësisht ka skaduar.