Një delegacion i lartë i kryesuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, deputetin dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe konsullin shqiptar të nderit në Manastir, Imer Selmani, qëndruan në shtëpinë ku para 115 viteve u mbajt Kongresi i Manastirit, ngjarje në të cilën u unifikua alfabeti shqip.
Në deklaratë për mediat, presidenti shqiptar Bajram Begaj theksoi se në Manastir po qëndron me kënaqësi të veçantë, sepse ai është qyteti i alfabetit shqiptar, qyteti ku janë vendosur themelet e identitetit gjuhësor shqiptar.
“Në historinë tonë ka data të veçanta që lanë gjurmë të mëdha dhe kjo ditë, 22 nëntori 1908, është shënuar veçanërisht në historinë e popullit shqiptar. Rilindësit tanë 115 vjet më parë, pavarësisht besimit, prejardhjes apo orientimit politik, e vunë interesin kombëtar para interesit të tyre personal, u mblodhën pikërisht në Manastir dhe jo vetëm për të pasur një alfabet të njësuar, por edhe për të marrë një vendim politik mbi idenë e riformësimit të popullit shqiptar. Në Manastir zyrtarisht ishin 50 delegatë, por ishin shumë më tepër, burra e gra nga mbarë bota, të cilët vendosën që alfabeti të jetë me shkrim latin. Kjo do të thotë se rilindësit tanë 115 vjet më parë ishin vizionarë të mëdhenj sepse vendosën për shkrimin latin dhe orientimin tonë evropian. Prandaj, rruga e sotme është në atë frymë, rruga jonë është një rrugë evropiane siç e kanë mbrojtur të parët tanë 115 vjet më parë”, theksoi Begaj.
Konsulli shqiptar i nderit në Manastir, Imer Selmani tha që qyteti duhet të bëhet atraksion turistik, vend të cilin gjatë gjithë vitit do ta vizitojnë shqiptarë nga të gjitha anët e botës ku jetojnë.
“Në Manastir 115 vjet më parë u unifikua alfabeti shqip, u pranuan shkronjat latine dhe filloi një rilindje e madhe e shqiptarëve në mbarë Ballkanin. Sot, me idenë e madhe të rilindësve, të gjithë popujt e Ballkanit punojnë dhe jetojnë në Evropë dhe jo vetëm nga ana formale, por sepse këtu është e ardhmja jonë, e ardhmja e brezit tonë. Ne i duam vlerat evropiane dhe standardet evropiane. Si Konsull Nderi i Shqipërisë në Manastir, uroj që jo vetëm në nëntor, por gjatë gjithë vitit, Manastiri të jetë destinacion turistik, destinacion në të cilin nga Kosova, nga Shqipëria, nga Presheva, nga Mali i Zi, nga kudo ku jetojnë shqiptarë, për të ardhur në Manastir, për të vizituar Muzeun, për të ndjerë Manastirin kozmopolit dhe frymën e tij nga e kaluara, jetën dhe bashkëjetesën e sotme. Është më e mira si për Manastirin ashtu edhe në përgjithësi për vendin tonë, po ashtu edhe për fqinjësinë”, theksoi Selmani.
Në prag të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, në Manastir u mbajt lexim poetik, koncert, tubim shkencor, ndërsa ishte promovuar edhe hapësirë e re e galerisë në IK Muzeu i Alfabetit Shqip.