Bëhen bashkë institucionet kulturore e muzeologjike shqiptare

0

Muzeu Historik Kombëtar sot në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve organizoi video-takimin mes drejtorëve të muzeve kombëtar vendas dhe të rajonit për të folur rreth eksperiencave të këtyre institucioneve mbi funksionimin e muzeve dhe mbi përfshirjen e komunitetit e publikut në aktivitete të ndryshme muzeore.

Në këtë aktivitet morën pjesë : Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, z. Ajet Leci, Drejtor i Muzeu Kombëtar të Kosovës, Prof.Ass.Dr. Arsim Sinani, Instituti për Studime Sociale e Humanistike (ISSh) i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, znj. Etleva Demollari, Drejtore e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, znj. Fjoralba Prifti, Drejtore e Muzeut të Artit Mesjetar, Korçë, z. Agron Polovina, Drejtor i Muzeut “Onufri” Berat, dhe z. Mehdi Hafizi, Drejtor i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, hapi takimin duke thënë se: “Kjo është një ditë festive për të gjithë ne që punojmë në Muze. E sotmja na gjen në një situatë të vështirë pandemie, por së bashku mund të kalohet lehtësisht me anë të bashkëpunimit të ndërsjelltë. Ju falenderoj përzëmërsisht për mundësinë e kësaj iniciative për të diskutuar tematikat e ditës së sotme”.
Kjo na bën të krijojmë një sinergji të përbashkët edhe pse kemi tipologji të ndryshme”, përfundoi fjalën e tij Dr. Koçi.

Z. Ajet Leci, Drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, u shpreh se: “Muzeu i Kosovës edhe në këtë kohë ka organizuar aktivitete të ndryshme kushtuar ditës së sotme. Sfida qëndron për çdo vizitor, i cili tashmë duhet të përballet me rregulla të cilat nuk egzistonin më parë”.

Znj. Fjoralba Prifti, theksoi se muzeu në Korçë kishte parashikuar një numër të madh aktivitetesh për këtë periudhë. Në ditët në vazhdim do të organizojmë një seminar me nxënës e studentë të ndryshëm. Pavarësisht mbylljes me vendet e tjera, muzeu i Korçës do të jetë i hapur për vizitorët vendas.

Z. Arsim Sinani tha se: “Kur jemi tek çështjet e muzeve dhe të bashkëpunimit, në aksin Prishtinë-Tiranë-Korçë-Manastir-Vlorë është vënë re një dëshirë e madhe për bashkëpunim. Muzeu Historik Kombëtar po e shtyn përpara muzeologjinë dhe ky është një lajm mjaft pozitiv dhe inkurajues. Duhen projekte të përbashkëta që ta ruajnë trashëgiminë tonë kulturore akoma më tej. Kultura është një vlerë e përbashkët që na bashkon ne shqiptarëve, ndaj kërkohet më tëpër bashkëpunim mes njëri tjetrit”.

Znj. Demollari theksoi në fjalën e saj se: “Kjo pandemi ishte një sfidë për muzeun tonë. Ne kemi shfrytëzuar maksimalisht dixhitalizimin për të shfaqur aktivitetet tona në mënyrë virtuale. Në fokusin tonë, përveç të rinjve dhe studentëve, janë edhe personat e moshës së tretë, të cilët na dhurojnë emocione me eksperiencat dhe narrativat që shfaqin tek ne”.

“Organizimi i kësaj tryeze informimi dhe komunikimi është me shumë rëndësi për fluksin turistik brenda vendit tonë. Duhet të jemi shumë aktiv gjatë kësaj situate, që jo vetëm të hapemi, por edhe të kemi audiencë maksimale”, theksoi z. Polovina.

Z. Mehdi Hafizi tha se: “Kruja është shumë e favorizuar për turizëm në fakt. Muzeu që i kushtohet Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, Pazari tradicional, Muzeu Etnografik etj. kanë vlera të mëdha. Jemi të favorizuar edhe nga vendndodhja në afërsi me kryeqytetin, aeroportin dhe portin e Durrësit dhe mezi presim fundin e pandemisë. Kruja ka edhe turizëm shkollor, i cili funksionon në mënyrë të përkryer. Kemi bashkëpunuar me Shkollën Nr. 1 në Krujë, ku nxënës të kësaj shkolle sollën objekte te ruajtura nga të parët e tyre dhe bënë interpretimin e tyre. Ky konkurs pati një pjesëmarrje jo të vogël dhe ishte një eksperiencë shumë interesante.(INA)