Bejta:Ja kush është tradhëtar?

0

Aktivitetet parazgjedhore të degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostvar, për zgjedhjet presidenciale të 21 Prillit vijuan në vendbanimet Simnicë dhe Gjenovicë.

Në një atmosferë miqësore, Kryetari i degës njëheri nënkryetar i BDI-së, z. Nevzat Bejta, para banorëve të pranishëm deklaroi që koha e patriotizmit folklorik ka marrë fund, tani kur çështjet e hapura për shqiptarët u kurrorëzuan me sukses.

Sot, tha Bejta, shqiptarët kanë kryetarin e Parlamentit shqiptar, kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe me çka institucionet qeveritare dhe Parlamenti flasin shqip, flamuri kombëtar përdoret zyrtarisht, arsimi në të gjitha nivelet është në gjuhën amëtare, tani kur kemi ansamble dhe institute që merren me trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve, shqiptarët nuk mashtrohen me deklarata boshe.

“Tradhëtar nuk është ai që e thotë të vërtetën, por ai që gënjen në emër të patriotizmit për ineteresa të ngushta personale. Ne jemi këtu për të treguar të vërtetën dhe nuk vijmë tu gënjejmë në emër të atij patriotizmi të rrejshëm. Vendi s’ka nevojë tani për patriotizëm deklarativ, ka nevojë që të thuhet e vërteta dhe të koncentrojmë energjitë tone në integrimin e vendit dhe zhvillimin e ekonomisë”, u shpreh mes të tjerash Bejta.

Me këtë rast, shefi i Shtabit Komunal Zgjedhor, z. Bashkim Hasani ftoi të pranishmit që me 17 Prill të marrin pjesë në tubimin që do të mbahet në Pallatin e Kulturës në Gostivar, ku i pranishëm do të jetë edhe lideri i BDI-së, z. Ali Ahmeti.
Fushata zgjedhore e BDI-së në Gostivar, vijon të dielën në mbrëmje në takimin me banorët e Banjicës së poshtme, Banjicë së epërme, dhe lagjes Dutllëk.