Në konferencën për shtyp me rastin e aktakuzës për zjarrin në Koçan, Prokurori i shtetit tha se janë akuzuar 34 persona fizikë, ndërsa për 11 është ndalur procedura, dhe për edhe dy të tjerë është ndërprerë. Nga 11-të për të cilët është ndalur procedura, shtoi ai, dy janë ish-ministra të ekonomisë. Por nuk i tregoi emrat e tyre. Ndër ata për të cilët është ndalur procedura janë edhe dy ish-drejtorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, mëson “360 shkallë”
Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini janë dy ish-ministrat e Ekonomisë që janë në mesin e të akuzuarve në lëndën për zjarrin në Koçan. Dy ish-ministrat e Ekonomisë që, të paktën për momentin, nuk do të përgjigjen për këtë rast janë Bekim Neziri dhe Driton Kuçi, mëson “360 shkallë” nga burime të mirëinformuara.
Se dy ish-ministra të ekonomisë nuk janë në mesin e të akuzuarve e tha edhe Prokurori i shtetit në konferencën për shtyp të sotme. Ai nuk i përmendi emrat, vetëm arsyet pse për ta është ndalur procedura.
Kush janë nëntë të tjerët? Shefi i Prokurorisë, Ljupço Kocevski, tha gjithashtu se përveç dy ish-ministrave, procedura ndalet edhe për nëntë persona të tjerë. Nuk tregoi se kush janë, as me emër e as me funksion. Vetëm shpjegoi se ndalimi i procedurës do të thotë se ajo mund të vazhdojë sërish, nëse mblidhen prova të mjaftueshme për një gjë të tillë.
“360 shkallë” mëson se në mesin e tyre janë edhe dy ish-drejtorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska-Dimoska dhe Goran Trajkovski. Në fakt, në një përfundim të tillë mund të arrihet nëse vëzhgohet me kujdes paraqitja e Prokurorit të shtetit në pjesën që ka të bëjë me përgjegjësinë e ISHT-së në lidhje me zjarrin ku humbën jetën 62 persona.