Bekim Sali ministër i Shëndetësisë, Admirim Haliti i Administratës ?

Alternativa dje firmosi marrëveshjen për bashkëqeverisje me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Nga kjo marrëveshje Alternativa në Qeverinë e re do të udhëheq ministrinë e Shëndetësisë, ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, një ministër pa resorë për Diasporën, tre zëvendës ministra, edhe atë në arsim, bujqësi e kulturë.

Nga ana tjetër Alternativa e Afrim Gashit ka vendosur për emrat e dy ministrive që do të udhëheqë në Qeverinë e re. Përgjegjësinë mbi supe për shëndetësi do e marrë ish kandidati për Komunën e Çairit, Bekim Sali, ndërkaq si ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës do të emërohet Admirim Haliti, raporton TetovaSot.

Emërimi i drejtorëve nga partia e Afrim Gashit pritet të bëhet brenda kësaj jave. Alternativa do të udhëheqë me dhjetëra drejtori, mes të cilave edhe MEPSO, Fondi Pensional, Agjencia për Investime të Huaja, ndërmarrjen për transport hekurudhor, Spitalin e Tetovës, Burgun e Idrizovës, Drejtorinë e Librave Amë dhe të tjera./TS