“Investimi në fabrikën ‘MAYA’ nuk është i partisë, por BDI-ja ka përfaqësuar institucionet shtetërore në inaugurimin që u bë në 2016 në Gari të Dibrës.” Kështu u shpreh Ministri Kreshnik Bekteshi i pyetur nga TV Alsat lidhur me para hetimin që ngriti prokuroria për firmën me dyshimet për larje të parave ruse. Madje Bekteshi bëri sugjerime që të kemi kujdes me titujt që lidhin BDI me investitorët, të cilët janë nën llupën e prokurorisë. Ai sqaroi se kryetari BDI-së Ali Ahmeti, preu shiritin e “MAYA”-s si deputet i zonës.
“Z. Ahmeti është me “Kreshnik Bekteshin, Artan Grubin, Driton Kuçin, Valon Saraçinin dhe me të gjithë ata që udhëheqin me institucionet përkatëse si rezultat i fitores së zgjedhjeve. Ahmeti merr pjesë së bashku në inaugurime të ndryshme. Mos të harrojmë se z. Ali Ahmeti përveç se është lider i partisë më të madhe politike shqiptare në vend, njëkohësisht është edhe deputet i zonës dhe në atë kohë kur është bërë inaugurimi i kompanisë MAYA, Komuna e Dibrës dhe një pjesë e komunave tjera përkatëse kanë qenë në Zonën 6 zgjedhore”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Kujtojmë që dy koncesionet për ML Gari u nënshkruan prej ministrave të ekonomisë nga radhët e BDI, Valon Saraçini në prill të 2012, për shfrytëzimin e ujit mineral në fshatin Gari të Dibrës dhe në vitin 2018 ministri aktual Bekteshi për lokalitetin Zviçnicë të po të njëjtit fshat. Dhe këto do të zgjasin për 30 vjet.
Koncesioni për shfrytëzimin e ujërave për ML Gari është dhënë në bazë të Ligjit për minerale dhe për ujë të pijshëm përmes Ekonomizimit të ujërave. Bekteshi tha se nëse kompetentët vërtetojnë që përmes MAYA-s janë bërë larje parash, do ti heqin dy koncesionet që iu kanë dhënë për 30 vitet e ardhshme.
“Nëse persona të caktuar kanë pruar mjete të konsiderueshme në Maqedoni të Veriut për qëllime tjera apo siç e theksuar edhe ju për larje parash, duhet organet kompetente ta hetojnë dhe ta vërtetojnë. Në momentin, nëse vërtetohet se kjo ka ndodh dhe kemi një vendim nga gjykatat e vendit apo institucionet përfshirë edhe Policinë Financiare ajo do të ishte bazë për shfuqizimin e koncesionit për shkak se persona të caktuar apo subjekte të caktuara që funksionojnë jashtë shtetit mund të jenë në sanksionet, të cilat i kemi miratuar”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Derisa Ali Ahmeti me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë po prisnin shiritin në 2016, Policia Financiare paralajmëroi se miliona euro kanë rrjedhur nga destinacione të dyshimta off-shore, me dyshimin se kapitali kryesor vjen nga Rusia. Kjo çoi në një hetim paraprak në prokurori. Procedura para hetimore ngeci për një kohë të gjatë për shkak të veprimeve të ngadalta të Prokurorisë deri të mërkurën, kur inspektorët financiarë dërguan një njoftim në Prokurori për krim të organizuar dhe korrupsion. Prokurorët tani po hetojnë nëse paratë janë pastruar përmes kompanive off-shore nga Qiproja dhe Ishujt e virgjër Britanikë përmes fabrikës së mbushjes së ujit Maya. /Alsat.mk