Beligradit nuk po i pëlqen Vjosa Osmani, mediat e quajnë gjarpër

Emin Azemi

Gjithmonë një politikan është vlerësuar edhe në bazë të asaj se si është trajtuar nga Beogradi. Në të kaluarën ka ndodhur që jo pak politikanë shqiptarë të jenë përkëdhelur nga Beogradi, por të urrehen nga populli i tyre.
Viteve të fundit, fatkeqësisht patëm politikanë nga Kosova, të cilët më tepër kishin mirëkuptim me Vuçiqin për tema delikate se sa me klasën politike të brendshme.

Aktualisht fjalimi i mbrëmshëm i presidentets Vjosa Osmanit në Kuvendin e Kosovës ka marrë vëmendjen e posaçme të mediave serbe. Sidomos një pjesë e deklaratës së saj, nuk iu ka përqyer fare këtyre mediave.
Presidentja e sapo zgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia duhet të marrë përgjegjësinë për gjithçka që ka bërë në Kosovë. Osmani tha se “drejtësia nuk do të arrihet derisa kriminelët serbë të dalin para drejtësisë”. Në të njëjtën kohë, siç tha ajo, “paqja do të arrihet vetëm kur Serbia të pendohet”. Ajo tha se dialogu është rruga e duhur, por që Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për të kaluarën.

“FJALËT E GJARPRIT VJOSA OSMANI: Një histori rreth dialogut dhe kërkon që SERBIA TË JETË PËRGJEGJËSE PËR KRIMET”, shkuram mediumi serb “Espreso”. “Duke iu drejtuar deputetëve, Osmani përsëriti se drejtësia nuk do të vihet derisa “Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë””, shkruan ky medium në krye të tekstit.

Mediumi tjetër serb, “Blic” e titullon shkrimin e saj kështu: RETORIKA E FAMSHME E OSMANIT: Drejtësia nuk do të vihet derisa Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë. Ndërsa “B92” ka shkruar se Osmani i ka dërguar një mesazh Serbisë. “Në fjalën e saj të parë para deputetëve, Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia duhet të marrë përgjegjësinë për “gjithçka që ka bërë në Kosovë”, thuhet në krye të lajmit që ky medium serb e ka bërë për Osmanin.

Vjosa Osmani u zgjodh dje presidente e Kosovës me 71 vota të deputetëve. Ajo e mori besimin në raundin e tretë të votimit. Që ajo të zgjidhet në këtë pozitë, ndihmuan edhe deputetët e ish-partisë së saj, LDK-së. Përderisa na i shanë Beogradi politikanët, mirë i kemi punët, prandaj të gjithë ata që kanë hezituar t’i besojnë kësaj udhëheqie aktuale të Kosovës, e kanë një rast të mirë t’i korrigjojnë qëndrimet e tyre, sepse realitetin duhet lexuar ashtu siç është, e jo ashtu siç duam ta projektojmë në kokat tona.