Mediat gjermane njoftojnë sot se Berat Nimani, vëllai i boksierit të ndjerë Besar Nimani, ka mohuar çdo përfshirje në sulmin e së mërkurës para gjykatës në Bielefeld, ku mbetën të plagosur katër persona.
Besar Nimani u vra më 9 mars 2023, kur u qëllua me 16 plumba.
Dy persona dyshohen për këtë vrasje: Huseyin Akkurt, i cili u arrestua në qershor në Bruksel, dhe Aymand Dawoud Kirit, i cili vazhdon të jetë në arrati.
Gazeta gjermane Bild shkruan se të shtënat e së mërkurës ndodhën menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore ndaj Huseyin Akkurtit në Gjykatën e Bielefeldit. Mes të plagosurve raportohet se janë babai dhe vëllai i Akkurtit, si dhe dy persona të tjerë, përfshirë një 23-vjeçar në gjendje kritike.
Avokati i Berat Nimanit, Peter Wuller, ka bërë të ditur se klienti i tij do të dorëzohet në polici brenda ditëve në vijim. “Kam pasur kontakte me z. Nimani menjëherë pas këtij akti të rëndë. Ai më kërkoi ta përfaqësoja. Situata është shumë konfuze, por pasi të konsultohem me prokurorin dhe të kem një pasqyrë më të qartë, klienti im do të dorëzohet,” ka deklaruar Wuller, duke shtuar se Nimani këmbëngul në pafajësinë e tij.
Sipas Bild, Nimani nuk ndodhet në Bielefeld, dhe policia ka bastisur apartamentin e tij.
Dëshmitarët kanë pretenduar se ai dhe motra e tij janë parë duke u larguar me një makinë të zezë nga vendi i ngjarjes, ndërsa të pranishmit në sallën e gjyqit kanë vënë re se ata u larguan para kohe.
huazuar nga muri i gazetarit Bahri Canit në facebook