‘Berberhonia’ e usta Zoranit që gëlltiti 270 mijë euro përmes “Erasmus+”

0

Naser Pajaziti

Malverzimeg nuk kanë fund, duke përfunduar edhe në ‘berberhone’ (floktari) me dy tri karrige në një lagje të Shkupit, me një të punësuar, që nuk ka as mbishkrim të biznesit në xhamat e saj. Absurdi është më i madh se përmes saj janë vjelë para nga fondet evropiane “Erasmus+”, grantet për edukim, edhe ate mbi 270 mijë euro gjatë dy viteve të fundit.

E gjithë këto para janë thithur përmes Agjencisë Nacionale për Programe Evropiane për Arsim dhe Mobilitet, një institucion vendor që ka vlejtur si kredibil. Kjo storje ditëve të fundit po qarkullon nëpër disa media.

E protagonisti që çdo vit është qerasur me para të thata thuhet se është ‘ustai’ Zorani, e që në llogarinë e ndërmarrjes së tij të vogël kanë përfunduar qindra mijëra euro, përmes kësaj agjencie qeveritare.

Paratë i kishte marrë lehtësisht gjoja se po organizonte trajnime për berber, e kjo i bie ka marrë para për “çirakët” që thuajse i ka çdo floktari, kryesisht të rinj të interesuar që duan ta mësojnë zanatin.

Por, ‘usta’ Zorani këtu del më i mençuri apo më i përkryer, i cili ka trashur kuletën duke thithur fonde evropiane për “çirakët”.

Në shtetet me synim të pastër për në BE, për grante të tilla për edukim ka kritere të qarta, dhe se fondet i përfitojnë shkollat, universitetet, shoqatat dhe institucionet shtetërore, por jo firma private e ‘usta’ Zoranit.

Nga viti 2018 e deri këtë vit kjo firme e regjistruar “V.E.Z” ka përfituar 270 mijë euro, me arsyet për edukim. Vetëm këtë vit ka marrë 181 mijë euro nga fondet “Erasmus +”.

Agjencia Nacionale ka arsyetuar ‘usta’ Zoranin dhe firmën e tij për tërheqjen e këtyre fondeve, por shumëçka dyshohet se mund të ketë korrupsion keqpërdorime që fshihen në labirinthet e sistemit të ndërtuar korruptiv, për të tërheq fondet evropiane, duke mos i lënë të shkojnë huq.

Institucionet po heshtin dhe në sipërfaqe nuk po duket se kanë nisur hetimet, për të kuptuar të vërtetën se ‘usta’ Zorani a i ka merituar këto para, si janë tërhequr ato dhe ku kanë shkuar ato. Janë shumë pyetje që kërkojnë përgjigje, në këtë vend përplotë çudirash e që tani aspiratat janë për të nisur negociatat me BE-në.