Berisha bën propozimin surprizë për Bashën

Një vit para sfidës së radhës elektorale, lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është angazhuar sërish për pajtimin e dy grupeve të mëdha kundërshtare në partinë më të madhe në opozitë: Grupit që përbën lidershipin aktual të partisë dhe të përjashtuarve nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2017.
Përpos propozimit për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, siç edhe kërkuan kritikët e Lulzim Bashës në PD, Berisha mësohet se i ka kërkuar grupit të punës për ndryshimet statut reflektimin e disa kërkesave të linjës kundër Bashës në parti, me qëllim bashkimin e PD para zgjedhjeve të ardhshme lokale. Burime pranë Partisë Demokratike thanë për Shqiptarja.com se një nga propozimet që po diskutohet, parashikon zgjedhjen e kryetarit të partisë nga kryetarët e të gjitha degëve të PD. Sipas këtij propozimi, fillimisht zhvillohen zgjedhjet për të gjithë krerët e degëve të Partisë Demokratike, sipas parimit një anëtar një votë. Më pas, kryetarët e rinj votojnë për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike. Nëse ky propozim do të finalizohet dhe do të marrë miratimin e grupit kundërshtar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do t’i nënshtrohet një votëbesimi nga krerët e degëve, për të mbyllur kapitullin e pretendimeve sa i takon legjitimitetit të zgjedhjeve të fundit për kreun e PD, ku Lulzim Basha fitoi përballë Eduard Selamit, në garën sipas parimit një anëtarë një votë. Ky propozim do të reflektonte edhe kërkesën kryesore të grupit anti-Basha, i cili evidentohet me ish-deputetët Astrit Patozi, Arben Imami, Ridvan Bode, Jozefina Topalli etj. Kërkesa kryesore e të ‘zemëruarve’ është caktimi një datë për zhvillimin e zgjedhjeve në PD, ku të përfshihen të gjitha institucionet e saj, sidomos kryetari. Ndërkaq, me afrimin e zgjedhjeve lokale, nuk përjashtohet mundësia që Lulzim Basha të kandidojë disa prej kritikëve për disa bashki të rëndësishme, si një tjetër mundësi dhe instrument për bashkim. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse ku propozim do të përfshihet në draftin përfundimtar me ndryshimet në statutin e PD.

Tentativa e dytë e Berishës

Lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 2017 prodhoi një krisje të madhe në Partinë Demokratike. 30 figura nga grupi parlamentar në u kandiduan në zgjedhjet e 25 Qershorit. Ky vendim i Lulzim Bashës nxiti një rebelim nga të përjashtuarit. Duke vënë në pah gabimet e Bashës, Berisha u angazhua për një pajtim mes dy grupeve të mëdha kundërshtare në Partinë Demokratike. Berisha zhvilloi disa takime me eksponentët e rebeluar, përfshirë Astrit Patozin, Jozefina Topallin etj. Paraprakisht, e ashtuquajtura garda e vjetër e Partisë Demokratike, kishte shpallur disa kushte për të vendosur paqen në PD. Kjo tentativë u konsiderua pa rezultat pasi në fillim të muajit mars përfaqësuesit e grupit kundërshtar të Lulzim Bashës në PD, kanë paralajmëruar një lëvizje të re politike, duke mos përjashtuar as mundësinë e krijimit të një partie të re politike. Kjo është tentativa e dytë e ish-kreut të PD, Sali Berisha, për të rivendosur paqen në partinë që i la në duar Lulzim Bashës.

Propozime të tjera

Një tjetër propozim, i cili po diskutohet nga grupi i punës edhe zgjedhjeve e krerëve të degëve të PD me të drejtë page, por parashikimin e ndalimit të tyre për të garuar për deputet apo kryetar bashkie. Por, ky propozim shihet me shqetësim, pasi mund të dobësojë figurën e kryetarit të degës dhe të zbehë raportin e tij me anëtarët. Ndërkaq, një tjetër propozim parashikon që kandidatët për deputetë dhe kryetar bashkie zgjidhjen nga anëtarësia e Partisë Demokratike, por kjo mund të çojë në dobësimin e kryetarit të partisë dhe fuqizimin e eksponentëve të ndryshëm që kanë ndikim të madh në bazë.