Berisha: Kjo është aleanca pro Putinit në Ballkan

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka quajtur aleancë pro Putinit në Ballkan hezitimin e liderëve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për të mos marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian me vendet e rajonit më 23-24 qershor.

“Aleanca pro Putin ne Ballkan! Vuçiç dhe Rama kërcënojnë Bashkimin Evropian me mospjesëmarrje në Samitin e Brukselit! Në një qëndrim sinkron në Beograd dhe Tiranë, Presidenti i “Serbomadhisë”, Aleksandar Vuçiç, dhe vasali i tij, Edi Rama, kërcënojnë me mospjesëmarrje”, ka shkruar Berisha në Facebook.

“Ky kërcënim i dy gangsterëve autokratë të Ballkanit Perëndimor duket si i urdhëruar nga Putin vetëm e vetëm për të shënuar kthesën e rajonit drejt projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur, me të cilin vendosen në rajon hegjemonizmi serb dhe influenca ruse”, shtoi Berisha.

“Dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim antikombëtar dhe anti BE pro serbo-rus të Edi Ramës dhe ftoj shqiptarët të ngrihen në këmbë për të mbrojtur orientimin dhe integrimin euroatlantik të tyre!”, ka thënë në përmbyllje të postimit kreu i PD-së.