Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar së fundmi një video në TikTok ndërsa ka reaguar në lidhje me mbylljen e kësaj platforme. Gjatë fjalës së tij Berisha shprehet se ndalimi i TikTok është një akt ekstrem censure. Ai shtoi se kryeministri Edi Rama informoi se bllokimi i platformës do të bëhët për një shkak madhor si ai i vrasjes së nxënësit në shkollë.
Berisha tha se kompania e TikTok informoi se as i ndjeri Martin Cani dhe as vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë. Ai shtoi se ky vendim i Ramës është njëlloj sikur për të mos patur aksidente, të ndalojmë përdorimin e makinave. Berisha theksoi se kjo është absurde. Sipas Berishës e vërteta është se Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë.
Ai shtoi se kryeministri nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri. Berisha theksoi se duke qenë në prag të zgjedhjeve dhe Rama nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma.
Fjala e Berishës:
Ndalimi i Tik Tok, akt ekstrem censure! Mirëdita, të dashur miq! Në një akt ekstrem censure, Edi Rama informoi dje se ka vendosur të bllokojë plotësisht platformën e Tik Tok-ut. Sipas tij, ishte ky një shkak madhor i vrasjes së nxënësit në shkollë.
Mirëpo, kompania e Tik Tok informoi se, as i ndjeri Martin, as dhe vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë. Çfarë del? Kësaj i thonë njëlloj sikur, për të mos patur aksidente, të ndalojmë përdorimin e makinave, apo të ndalojmë përdorimin e rrugëve dhe këto janë absurditete.
E vërteta është se, Edi Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet. Së dyti, ai nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri.
Dhe së fundmi, jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma. Duke ju garantuar se, platforma e Tik Tok-ut do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve, ju ftoj të dashur miq, të postoni në llogaritë tuaja të Tik Tok, por edhe rrjeteve tjera sociale, statuse në mbrojtje të kësaj platforme dhe në dënim të censorit ekstrem, narkodiktatorit Edi Rama.