Berlini deklarohet lidhur me përfshirjen e Kancelares Merkel në dialog

0

Nga Bota Sot/
Qeveria Federale e Gjermanisë, mbështetë përpjekjet e BE-së për të arritur një zgjidhje të përbashkët me Kosovën dhe Serbinë, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Kështu ka bërë të ditur, në një përgjigje ekskluzive për gazetën “Bota sot”, zyra për informim e Qeverisë Federeale, lidhur me mundësinë që Kancelarja Angela Merkel të përfshihet në dialog, ashtu siç ka propozuar zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Mos gjetja ende e një zgjidhjeje për fazën finale të dialogut me Serbinë e detyroi zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Behgjet Pacolli, të dalë me idenë për përfshirjen e kancelares gjermane Angela Merkel në zgjidhjen e problemeve në Ballkan.

Ai konsideron se Merkel përveç se një udhëheqëse e madhe, është edhe një grua gjeniale dhe se konstruktiviteti, korrektësia dhe fuqia e saj në zgjidhjen e problemeve, e bën të domosdoshëm përfshirjen e saj në zgjidhjen e problemeve në Ballkan.

Por, nuk është se Behgjet Pacolli doli i pari me këtë ide. Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një takimi me Kancelaren Gjermane, muaj më parë i kërkoi ndihmë kësaj të fundit lidhur me këtë çështje.

Propozimi i Thaçit

Presidenti i Kosovës ka thënë se, Kosova është e gatshme për fazën vendimtare të dialogut me Serbinë, ku pritet të arrihet marrëveshja përfundimtare.

Megjithatë, Thaçi ka pranuar se faza përfundimtare e dialogut nuk do të jetë e lehtë as për Kosovën dhe as për Serbinë, por ka theksuar se nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara përveç dialogut dhe marrëveshjes.

Ai ka shtuar se, marrëveshja finale duhet të përfundojë me njohje reciproke, pasi vetëm kjo mundëson heqjen e pengesave për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE.

“BE-ja duhet të vazhdojë të luajë rolin e vet ndërmjetësues edhe gjatë fazës përfundimtare, por e mirëpres edhe një rol aktiv, ndihmues në këtë proces të kancelares Merkel, pasi gëzon respektin në Kosovë dhe Serbi”, është shprehur Thaçi.

Mirëpo, sa do e ndihmonte një gjë e tille vendin tonë në problemin e saj me Serbinë dhe dialogun që tashme është në fazën finale?

Duke i pyetur se si e vlerësojnë këtë ide të zëvendëskryeministrit Pacolli , gazeta “Bota sot” ka arritur të kontaktojë me zyrën për komunikim të Bashkimit Evropian dhe Qeverinë Gjermane.

Kosova, shqetësim i rëndësishëm i Kancelares Merkel

Zyra për komunikim e Qeverise Federale të Gjermanisë, kanë kthyer përgjigje për gazetën “Bota sot”.

Qeveria Federale ka thënë për “Bota sot” se Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës janë shqetësime të rëndësishme për Kancelaren Merkel.

“Pajtimi i shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia është një shqetësim i rëndësishëm i Kancelares Merkel dhe i qeverisë federale në tërësi. Kjo vlen veçanërisht për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Kështu, në vitin 2014, në kujtim të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Kancelarja Federale filloi procesin e Berlinit” , thuhet në përgjigje e zyrës për informim të Qeverisë Federale të Gjermanisë.

Mirëpo, nga Zyra për Komunikim e qeverise Gjermane kanë thënë se mbështetin përpjekjet e Mogerinit për një zgjedhje të përbashkët.

“Qeveria Federale mbështetë përpjekjet e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe në veçanti të Përfaqësuesit të Lartë Federica Mogherini, për të arritur një zgjidhje të përbashkët me të dyja palët në bazë të dialogut të normalizimit” kane përfunduar nga Qeveria Gjermane.

BE nuk deklarohet

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar edhe me zyrën për Komunikim të Bashkimit Evropian.

Ata kanë thënë shkurt se lidhur me këtë çështje mund të vendosë vetëm qeveria Gjermane .

“Në lidhje me kërkesën tuaj ju lutem më lejoni të ju them se rreth kësaj teme mund të vendosë vetëm ministria e Jashtme Gjermane. Atyre ju takon të vendosin rreth kësaj çështjeje” kanë thënë nga Bashkimi Evropian.