Berlini lehtëson procedurat për marrjen e shtetësisë gjermane

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Feser prezantoi pjesë të një projektligji që duhet të lehtësojë marrjen e nënshtetësisë gjermane dhe sipas të cilit, në vend të tetë të tanishëm, mund të kërkohet shtetësia pas pesë ose tre vjetësh qëndrimi të ligjshëm për ata që vijnë nga Ballkani.

“Në vend të tetë viteve të tanishme, shtetësia do të fitohet pas pesë vjet qëndrimi të ligjshëm, dhe në rastin e integrimit shumë të suksesshëm, edhe pas tre vjetësh”, tha ministrja Nancy Feser në një intervistë për disa media gjermane, përcjell INA.

Me një integrim shumë të suksesshëm, Feser nënkupton një mësim të shpejtë të gjuhës gjermane dhe një integrim të mirë në punën apo sistemin arsimor të vendit. “Projektligji është gati dhe është dërguar për inspektim në ministritë kompetente”, njoftoi MPB gjermane.

Sipas njoftimit për media, thuhet se detajet e ligjit tashmë janë rënë dakord mes partive të koalicionit qeverisës. Qeveria socialdemokrate-gjelbër-liberale në marrëveshjen e saj të koalicionit parashikonte një reformë të ligjit për marrjen e shtetësisë. Sipas këtij drafti, fëmijët e lindur në Gjermani do të fitonin automatikisht të drejtën e shtetësisë nëse njëri nga prindërit do të kishte banuar ligjërisht në Gjermani për të paktën pesë vjet.

Për personat mbi 67 vjeç, kriteret gjuhësore do të ulen si kusht për marrjen e shtetësisë në të ardhmen dhe mjafton që aplikanti të mund të “komunikojë verbalisht”. “Me një procedurë më të lehtë për marrjen e shtetësisë, ne duam të njihemi me brezin e punëtorëve mysafirë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e këtij vendi”, tha Feser.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se duhet të jetë e lehtë të fitohet shtetësia e dyfishtë, e cila aktualisht është e ndaluar në Gjermani, me disa përjashtime. “Integrimi, njohja e gjuhës, edukimi dhe njohja e rendit demokratik janë shumë më të rëndësishme se çështja nëse aplikanti ka një kombësi tjetër”, tha Feser.

Qytetarët e Bashkimit Evropian mund të ruajnë shtetësinë e tyre të vjetër edhe pasi të kenë marrë pasaportën gjermane. (INA)