Dashuria e parë nuk harrohet kurrë. Ndaj kur bëhet fjalë për Milanin, sytë e Silvio Berlusconit shkëlqejnë: “Një ëndërr milaniste? Haaland ose Mbappé.
Ata janë e tashmja dhe e ardhmja e futbollit. Por më lejoni ta mbyll këtë intervistë me një ‘Forza Milan’, që më vjen nga zemra”, fjalët në një intervistë për La Gazzetta dello Sport. Tani në San Siro, megjithatë, është Leao: “Ai është nga Milani, ai ka një stil loje që në momentet më të mira më kujton më të mëdhenjtë e Milanit tonë”. Në horizont ndeshja e trefishtë kundër Napolit: “Më mirë Rafael apo Kvaratskhelia? Vështirë të përgjigjem, janë dy lojtarë të mëdhenj që kanë karakteristika të ndryshme. Ndoshta Kvaratskhelia është një lojtar më i kompletuar”.
Një tjetër lojtar që bëri historinë e Napolit mund të kishte veshur fanellën e kuqezinjve: Diego Armando Maradona. “Një keqardhje shumë e thellë, dhe jo vetëm sepse Maradona ishte lojtari më i madh i gjeneratës së tij. Ai ishte një person i brishtë, ndoshta disiplina dhe vëmendja ndaj individëve që ekzistonte në Milanin tim do ta kishte ndihmuar atë të shmangte disa gabime. Megjithatë, atë ditë, duke folur me të, kuptova një gjë: Maradona ishte Napoli, ai ishte simboli dhe flamuri i Napolit më të madh në histori, të paktën deri më sot. Flamujt nuk mund të blihen dhe nuk lëvizin dot. Do të ishte sikur të merrje zemrën e një qyteti të tërë dhe ta transferoje në Milano. Do të ishte e padrejtë, nuk mund të bëhej. Këtë vlerësim e ndau edhe vetë Diego, i cili kishte një ndjeshmëri të madhe”, tregoi Berlusconi.
Për Ibrahimovic: “Zlatan është një kampion i madh, ai ka një karakter të pakrahasueshëm dhe forcë mendore. E di që ai ka ende një dëshirë të madhe për të luajtur: vetëm ai mund të vendosë deri kur. Unë mendoj se personaliteti i tij është shumë i rëndësishëm në fushë dhe në dhomat e zhveshjes. Për të ardhmen, jam i sigurt se ai do të vazhdojë të luajë role të rëndësishme në botën e futbollit. Ka inteligjencën dhe karizmën e nevojshme për të bërë mirë çdo gjë që vendos të bëjë. Dija e tij do të jetë e paçmueshme si trajner apo menaxher”.