Berlusconi: Nën drejtimin tim, Rusia iu afrua NATO-s

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi deklaroi sot se nën drejtimin e tij, Rusia iu afrua NATO-s më shumë se 15 vjet më parë.

Gjatë një vizite në Bruksel, Berlusconi e përshkroi veten si një “fëmijë që ka jetuar për 50 vjet nën presionin e Luftës së Ftohtë”.

“Ky fëmijë arriti ta bëjë Rusinë pjesë të NATO-s në vitin 2002 dhe se i  beson Evropës, si një e vërtetë absolutisht themelore në jetën tonë”, deklaroi ai.

Rusia nuk është anëtarësuar kurrë në NATO, një aleancë ushtarake e themeluar fillimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj perëndimorë për t’u mbrojtur nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Ajo që ndodhi në vitin 2002 është se Berlusconi drejtoi një samit pranë qytetit të Romës, në të cilin NATO dhe Rusia ranë dakord mbi një bashkëpunim të përhershëm të këshillit, që më vonë u pezullua për shkak të veprimeve ruse në Ukrainë.

Berlusconi ishte në një vizitë zyrtare në Bruksel për të zhvilluar një takim me politikanët e Bashkimit Evropian, duke përfshirë aleatin e tij Antonio Tajani, kreun e Parlamentit Evropian dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.