Partitë e bllokut opozitar shqiptar Lëvizja BESA dhe Lëvizja Demokratike theksuan sot se mbeten të hapur për bashkëpunim opozitar me Aleancën për Shqiptarët (ASH).
Sekretari i Lëvizjes BESA, Abdush Demiri theksoi se janë të gatshëm të bashkëpunojnë në opozitë me ASH dhe sipas tij kreu i kësaj partie Arben Taravari duhet të qartësojë pozicionin e tij.
“ASH dhe Taravari duhet të qartësojnë pozicionin e tyre, a do të vazhdojnë të mbeten në qeverinë e Ali Ahmetit apo do të pozicionohen me opozitën. Ne si front opozitar jemi të hapur për bashkëpunim edhe me ASH-në nëse ndryshojnë qëndrimin e mbetjes në qeverinë e krimit dhe korrupsionit”, theksoi për TV21 Abdush Demiri.
Edhe kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti thotë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Aleancën për Shqiptarët, në rast se këta të fundit vendosin që t’i bashkohen opozitës.
“Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët dhe jo vetëm. I bëjmë thirrje edhe OJQ-ve, intelektualëve të pavarur, të gjithë që duan ndryshimin në kampin shqiptar”, tha Mexhiti për TV21.(INA)