Beteja e fundit e Enver Hadrit me Serbinë

Picture of Ina Online
Ina Online

25/01/2025

Shkruan: Xhafer Shatri

BETEJA E FUNDIT E ENVER HADRIT ME SERBINË

1.
Ka tri javë që në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në Bruksel, po rigjykohen vrasësit e Enver Hadrit; Bozhidar Spasiq, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq. Asnjëri prej tyre nuk janë në bangën e zezë. Sepse Serbia po vazhdon ta refuzojë ekstradimin e tyre.

Më 2016, po kjo Gjykatë i pati dënuar me burg të përjetshëm që të tre. Aktgjykimin e kontestuan dy prej tyre, Vukotiq dhe Drashkoviq. Ndërkaq, në fund të procedurës së ankimimit mbeti vetëm Andrija Drashkoviq.

Për ata që i njohin rrethanat dhe dosjen sidomos, nuk do të kishte vijim ose shqyrtim gjyqësor të kësaj procedure penale, po të mos ishte familja e Enver Hadrit, e sidomos këmbëngulja kreshnike e vajzës së tij, Teutës.

Me këtë rast nuk duhet harruar as pjesëtarët e gjeneratës së re në organet e drejtësisë belge, të cilët e të cilat nuk pranuan që profesioni i tyre të përdredhet në pazarin e politikës dhe diplomacisë. Por i shkuan punës deri në fund. Derisa e zbardhën në plotni këtë krim të rëndë që Serbia e kreu në kryeqytetin e Evropës.

2.
Dy ditë më parë, në cilësinë e dëshmitarit të prokurorisë, dëshmova para Trupit Gjykues.

Të hysh në një sallë të madhe, para një Gjykate të shumë respektuar e me juri dhe ta shohësh aty familjen e Enver Hadrit të raskapitur por krenare në përpjekjet e saj 35 vjeçare për ta vënë drejtësinë në vend, është një përjetim më shumë se i vështirë.

Por edhe një rast me shumë përparësi. Sepse në këtë dosje ka aq shumë argumente, sa që mjafton vetëm t’i rënditësh.

Dhe ky është një përjashtim i rrallë, sepse askush si Serbia nuk di t’i fshehë gjurmët e krimeve të saj të shumta e të përgjakshme.

Edhe po të jesh japonez apo jugafrikan që ndoshta s’e di mirë as kah i bie Beogradi, mjafton ta lexosh librin e Edith Durham «Krimi në Sarajevë» për ta kuptuar se sa e zhdërvjelltë është Serbia në gjuajtjen e gurit e në fshehjen e dorës.

3.
Udhëheqja serbe kishte vendosur ta vriste Enver Hadrin me çdo çmim. Sepse ai me veprimtarinë e tij i dëmtonte substancialisht synimet e saj. Para institucioneve dhe personaliteteve evropiane me ndikim, Enver Hadri i zhveshte planet e Millosheviqit që mëtonte ta bëjë Serbinë e Madhe në dëm të popujve të tjerë dhe, mundësisht, me ndihmën e Evropës…

Për këtë qëllim, elitat serbe po përgatiteshin intensivisht edhe për luftë.

Prandaj, për njohësit e rrethanave, shpërthimi i luftërave në ish-Jugosllavi, praktikisht fillon me vrasjen e Enver Hadrit.

Më 25 shkurt 1990 gangsterët, që i kishte angazhuar UDB, arritën ta vrasin Enver Hadrin. Ata ishin Andrija Drashkoviq, Vesko Vukotiq, Darko Ashanin dhe Andrija Llakoniq. Këta ishin ajka e nëntokës së Beogradit; krejt biografia e tyre ishte e mbushur me dosje të zeza: vrasje, plaçkitje, përdhunime…

Vrasjen e kishte përgatitur Bozhidar Spasiq, përgjegjës për operacione speciale në Drejtorinë e Dytë të Shërbimit Federal të Sigurimit të Shtetit. Kjo Drejtori merrej ekskluzivisht me operacione jashtë. Në këtë funksion, Spasiq ua kishte nxjerrë vrasësve pasaportat me emra të rrejshëm, i kishte furnizuar me të holla dhe mjete të tjera, përfshirë armët dhe fishekët special dhe, përmes rrjetit të spiunëve, ua kishte përgatitur, deri në hollësi, terrenin për ekzekutimin e Hadrit.

4.
Një muaj më vonë, konkretisht më 23 mars 1990, në klubin “Nana”, në Beograd, që ishte strofull i elitave të mafias serbe, plasi sherri në mes vrasësve të Enver Hadrit. Në atë qërim hesapesh mbeti i vrarë Andrija Lakoniq. Fillimisht përgjegjësinë e mori Darko Ashanin, por më vonë ai u zëvendësua në përgjegjësi penale nga Vesko Vukotiq. Sipas të gjitha gjasave, vrasja ishte kryer me armën me të cilën e kishin vrarë Enver Hadrin…

Për ta përzgjedhur ekipin e vrasësve Bozhidar Spasiqit i kishte ndihmuar Miroslav Bizhiq, shef i sektorit për delikuentët e mitur në Sekretariatin e Punëve të Brendshme të Beogradit. Ky bashkëpunim kishte ndezur rivalitetin mes UDB-së Federale dhe asaj Republikane. Kjo e fundit përmes rrjetit të spiunëve në mediet e Beogradit, e nxori në publik prapavinë politike të qërimit të hesapeve të mafiozëve serbë në klubin “Nana”.

Në këtë mënyrë u zbuluan dhe u identifikuan vrasësit e Enver Hadrit. Natyrisht, këta i takonin vetëm njërit prej katër grupeve që ishin të implikuar në këtë krim…

Për shkaqe që është vështirë të shpjegohen, Bozhidar Spasiq e zbardhi në një masë të mirë këtë dossier përmes librit “Lasica koja govori” (Bukla që flet), por edhe përmes intervistave të shumta, ku dha detaje burimore për organizimin dhe ekzekutimin e Enver Hadrit. Dhe jo vetëm…

5.
Kësaj radhe, megjithatë kishte disa dallime nga gjykimi i parë.

• Në rigjykim, njëri prej të akuzuarve, Andrija Drashkoviq, i kishte përzgjedhur dy avokatë të dy kabineteve më të njohura të avokatisë në Belgjikë;

• Njëri prej avokatëve të Familjes Hadri, ishte shqiptar me emrin antik: Sokol;

• Qeveria e Kosovës e kishte mbështetur financiarisht Familjen Hadri. Kjo mbështetje ka peshë të veçantë morale për të dhe përpjekjet e saj 35 vjeçare për ta vënë drejtësinë në vend;

• Gjatë gjykimit disajavor, aty vazhdimisht po merrnin pjesë dy diplomatë të Kosovës; Atë ditë që dëshmova unë në gjykatore kishin qenë të pranishëm dy ambasadorët e Kosovës: ShT. Agron Bajrami, Ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, në Dukatën e Luksemburgut e pranë Bashkimit Evropian dhe ShT. Astrit Zemaj, Ambasador i Republikës së Kosovës pranë selisë së NATO-s.

Po ta krahasosh këtë kohë me kohën kur u vra Enver Hadri, dallimi është epokal. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij askohe as që kanë guxuar ta ëndërrojnë se në qytetin ku Hadri veproi dhe u vra, atdheu i tyre, Kosova, një ditë, do t’i ketë dy ambasadorë…

Në këtë luftë të mundimshme e të pabarabartë, por heroike, të Kosovës e të shqiptarëve me Serbinë, ku përthuren pashmangshëm veprimtaria dhe vrasja e tij, Enver Hadri del fitimtar absolut.

Ai, edhe për së vdekuri, po e bën dhe po e fiton betejën e tij me Serbinë

TË FUNDIT

Perinski: Kryetarët e komunave përshëndetën thirrjen e dytë publike për ndarjen e ndihmës financiare për komunat

Valbon Limani, kandidat potenciali VLEN-it për kryetar të Komunës së Gostivarit

Presidentja Osmani takohet me përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog

“Stema”, Taravari: Jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka

“Zgjedhjet lokale”, nisin kalkulimet e partive për emrat e kandidateve të mundshëm

Mexhiti: Nuk kemi marrëveshje për ndryshimin e stemës, por po diskutojmë të gjitha çështjet e hapura

ME TE LEXUARA

1
Perinski: Kryetarët e komunave përshëndetën thirrjen e dytë publike për ndarjen e ndihmës financiare për komunat
1
Valbon Limani, kandidat potenciali VLEN-it për kryetar të Komunës së Gostivarit
1
Presidentja Osmani takohet me përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog
1
“Stema”, Taravari: Jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka
1
“Zgjedhjet lokale”, nisin kalkulimet e partive për emrat e kandidateve të mundshëm

LEXO MË SHUMË

Perinski: Kryetarët e komunave përshëndetën thirrjen e dytë publike për ndarjen e ndihmës financiare për komunat

Valbon Limani, kandidat potenciali VLEN-it për kryetar të Komunës së Gostivarit

Presidentja Osmani takohet me përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog

“Stema”, Taravari: Jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka

“Zgjedhjet lokale”, nisin kalkulimet e partive për emrat e kandidateve të mundshëm

Mexhiti: Nuk kemi marrëveshje për ndryshimin e stemës, por po diskutojmë të gjitha çështjet e hapura