Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë, prof.dr.Abdylmenaf Bexheti në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA flet për të arriturat e këtij universiteti, rangimin në nivelet më të larta si universitet me renome ndërkombëtare, përse duhet përzgjedhur këtë universitet për të studiuar dhe cila është oferta e pasuruar me programe studimore.
“Në të gjitha segmentet UEJL është specifik dhe unik. Sivjet fillon me punë edhe fakulteti i shtatë, ai i shkencave teknike, dhe vetëm me kaq pak fakultete kemi këto përmasa. Imagjinoni sikur të kishim 20 apo 30 fakultete, siç kanë disa universitete publike (UKIM, UGD apo USHT) me këtë sistem cilësi ku do ishte UEJL-i“, thekson rektori Bexheti në intervistën për INA.
INA: Jemi në një periudhë të regjistrimeve në universitetet e vendit. Pse tëduhet të përzgjedhet UEJL për të studjuar dhe çka e dallon nga universitetet tjera?
Bexheti: UEJL është universitet unik, tre gjuhësor, me kurrikula më të përshtatshme për tregun e punës, sistem cilësie me standarde ndërkombëtare (prej të cilëve edhe mbikqyret), me staf te përkushtuar dhe rregullisht të trajnuar dhe përditësuar për gjeneratat dixhitale, me sistem të përvetsimit të shkathtësive (teknologjike, gjuhësore, komunikative, interkulturore,…) si dhe jo rastësisht ndër të vetmit universitet shqipfolës i rankuar në vend të parë nga “QS Ranking për 2024”, bile edhe para Universitetit të Tiranës. Punësueshmëria e studentëve të UEJL-it, e bazuar ne evidenca dhe jo perceptime shkon ne reth 75 deri 80% (përfshi edhe ata që me vullnet nuk kërkojnë punë) ne afat prej 6 muajsh nga dita e diplomimit.
INA: Cilat janë programet mësimore dhe inovative, të cilët studentët shprehin interesimin për të ndërtuar karrierat e tyre të sukseshme?
Bexheti: Pothuaj të gjitha programet studimore (reth 30 deridiplomike) kanë preferencë të caktuar për segmentet e caktuara. Bile edhe fakultetet më tradicionale, si Fakulteti juridik p.sh. vitin e kaluar mori vendin e parë në garat regjionale të Tiranës në kompeticion të 16 fakulteteve juridike nga rajoni, kurse tre jave më parë u plasua në 1/8 e finales në Nurenberg, ndër universitetet evropiane. Të mos flasim për atraktivitetin e Fakultetit të Teknologjive Informatike (CST), drejtimet e Arkitekturës dhe Dizajnit, ato të biznesit dhe ekonomisë e deri te Fakulteti më i ri i Shkencave Shëndetsore dhe ai i Shkencave Teknike.
INA: UEJL së shpejti do mbush 24 vjet, cilat janë rezultatet e deritanishme apo afirmimi i këtij tempulli të diturisë në botën universitare?
Bexheti: Konsolidimi dhe zhvillimi e rritja akademike, shkencore si dhe ndikimi në shoqëri për gati një çerek shekulli e bëjnë UEJL-in ndër universitetet më atraktive në vend e rajon. Vet fakti që me gjithë ramjen permanente të numrit të maturantëve, ikjes së rinisë në Perëndim edhe me preferenca studimi andej, po ashtu edhe krahas ramjes së natalitetit, UEJL arrinë që në çdo vit të ketë rritje (mesatarisht reth 5% në gjashtë vitet e fundit). Këto janë rezultate që flasin vet. Për herë të parë sivjet jemi fitues edhe i megaprojektit në aleancë me 8 universitete tjera reputative evropiane (Challenge Europe), me buxhet rreth 8 milionë euro (UELJ me mbi 1.1 milion euro) flet edhe për rezultatet shkencore. Është universitet i vetëm në rajon me komponent të studentëve ndërkombëtarë, në kuptimin e plotë të fjalës. Reth 10% të studentëve janë ndërkombëtarë nga më shumë se 7-8 shtete të botës. Në të gjitha segmentet UEJL është specifik dhe unik. Sivjet fillon me punë edhe fakulteti i shtatë, ai i shkencave teknike, dhe vetëm me kaq pak fakultete kemi këto përmasa. Imagjinoni sikur të kishim 20 apo 30 fakultete, siç kanë disa universitete publike (UKIM, UGD apo USHT) me këtë sistem cilësi ku do ishte UEJL-i.
INA: UEJL në përgjithësi promovohet si një universitet kërkimor. Megjithatë, ai krenohet me një raport të rrallë prej 1 ligjërues për 20 studentë, i cili duket mjaft ideal për mësimdhënie. Si e shihni lidhjen midis kërkimit dhe mësimdhënies në UEJL?
Bexheti: Kërkimi shkencor në UEJL nuk është vetëm retorikë demagogjike, por esenciale. Indikatorët e performancës kërkimore janë pjesë e ndërtimit të pagës se gjithësecilit individualisht me një peshë specifike (ponder) prej rreth 20% të saj. Numri i kërkimeve dhe publikimeve në revista shumë relevante shkencore edhe me faktor ndikimi dhe numër të madh të citimeve poashtu shpërblehet me tarifë specifike financiare mbi atë të kompensimit të rregullt. Pra çdo arritje kërkimore dhe shkencore vlerësohet realisht me sistem të përcaktuar paraprakisht dhe të miratuar nga Këshilli i UEJL-it (R&R-Rank and Rumeneration). Mbi bazën e kërkimit ndërtohen edhe gjetjet dhe faktet shkencore për mësimdhënie. Shkolla e doktoratës me nga 40-50 studentë për çdo vit akademik të regjistruar (edhe pse aplikojne mbi 150 studentë në vit) prodhon sfond të madh të kërkimeve dhe paraqet platformën më produktive kërkimore në vend.
INA: Si universitet si arrini të kombinoni mësimdhënien duke angazhuar ligjërues profesionistë, por edhe personalitete nga fusha e biznesit, politikës dhe gazetarisë?
Bexheti: Mësimdhënia praktike në të gjitha fushat, bile edhe ato juridike, sociale dhe komunikologjisë, krahas të biznesit, informatikës dhe teknikës, është specifika tjetër që e dallon këtë universitet. Prandaj mbetet shumë atraktiv edhe për gjeneratat e reja (gjenerata Z) të cilët gjithnjë e më pak preferojnë të mësojnë mekanikisht dhe janë me preferenca rënëse për lexim (të thatë)! Përpos gazetarëve në programet e komunikologjisë, noterëve, avoketëve, përmbaruesve, gjykatësve e prokurorëve në programet e jurispondencës, pastaj afaristet e suksesshëm dhe politikëbërësit e politikave ekonomike në programet e ekonomisë dhe biznesit, inxhinierët e IT-së (si ata të zhvillimit softwerik ashtu ehde ata hardwerik) në programet e Shkencave kompjuterike e deri te studio arkitekturale dhe artistët (piktorë) e dizajner të sukseshëm, të gjithë këto dhe jo vetëm, janë pjesë e mësimdhënieve praktike në UEJL. Prandaj studentët edhe punësohen më lehtë dhe janë më të suksesshëm në tregun e punës, siç elaborova më lart.
INA: Sa i përket gjendjes së arsimit dhe reformave që nuk japin rezultate edhe në arsimin e lartë, rangimet botërore po i radhisin universitetet tona në fund të listave. Po ashtu janë shqetësuese edhe rezultatet e PISA. Ku i targetoni dobësitë dhe çka duhet të ndërmerret si priortet?
Bexheti: Problemi qëndron te sistemi i arsimit në kompleksitetin e tij, në të gjitha nivelet, por kulmi i improvizimit arrihet në arsimin sipëror. Përderisa sistemi bazohet në sasi e formë dhe jo cilësi e substancë, është vështirë të pretendohen ndryshime të suksesshme. Druaj të përdorë termin “reformë” se më aludon në “proformë”! Çështja është shumë komplekse për të shpjeguar me pak rreshta. Tash e 18 muaj unë po udhëheq Konferencën interuniversitare dhe atë të Rektorëve (rreth 17 universitete) dhe shfrytëzuam rastin që sapo “politika” u fokusua në zhgjedhjet e sivjetme, ne punuam për tre muaj në draftimin e tekstit të Ligjit të Arsimit të Lartë, të cilin (për herë të parë pas tre dekadave) e draftoi unanimisht sektori i arsimit të lartë. Tani i mbetet politikës ta shqyrtoj, pranoj apo refuzoj, por gjithë përgjegjësinë e ka drejtpërdrejt ajo! Nesër nuk mund të arsyetohet (si deri me tash) se vet universitetet e kanë draftuar ligjin.
INA: Ministrja e re e Arsimit, Svetlana Janevska paralajmëroi reforma në arsimin e lartë, si arsim dual edhe në universitete, që nënkupton rritje të praktikës, pastaj revizion të universiteteve dhe drejtimeve universitare ku do të ketë riakreditime dhe reforma tjera. Si i vlerësoni këto paralajmërime?
Bexheti: Ministrja, Prof. Vesna Janevska kishte plane ambicioze. Para dy javesh u takuam në takim pune me atë dhe zëvendësministrin e posazgjedhur, Lulzim Aliu me ç’rast bashkëbiseduam shumë aspekte të arsimit të lartë dhe shkencës. Shpresojmë të gjejë mbështetjen edhe te Qeveria që disa ndryshime (edhe radikale) ti realizoj, të bazuara jo në politika ditore, por në vlerësimet paraprake që do ti bëjë Këshilli i Vlerësimit, një organ kompetent pranë Agjencisë për cilësi në arsimin e lartë në RMV.
INA: Cili është mesazhi i jauj për të gjithë ata që përzgjedhin UEJL, por edhe vizioni i juaj si rektor për zhvillimin dhe përsosjen e këtij institucioni të arsimit të lartë ?
Bexheti: Faleminderit për mundësinë që përmes platformës Suaj tu drejtohem edhe njëherë maturantëve.
Liria e zgjedhjes mbetet fundament i lirive të njeriut. Zgjidhni UEJL-in, universitetin e mundësive dhe dijeve aplikative, shërbimit personal dhe individual të çdo studenti me respekt të plotë të kodit etik. Përgjatë gjithë studimit Ju mund të kërkoni çfardo shërbimi përpos kalueshmërisë dhe notës jomeritore. Ju duhet vetëm një semester që të bindeni në këtë. (Intervistoi: Naser Pajaziti/INA)