Biber: Porositë e Merkelit për Maqedoninë e Veriut tregojnë ndikimin gjerman mbi zgjerimin

Duke komentuar vizitën lamtumirëse të kancelares Angela Merkel në rajon, Florijan Biber, profesor në Qendrën për studime juglindore në Universitetin e Gracit, vlerësoi se porosia kryesore që Angela Merkel do të donte të dërgonte është se ajo shpreson që Ballkani Perëndimor do të mbetet temë e rëndësishme për Gjermaninë pas zgjedhjeve, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Biberi deklaroi për N1 se porositë e saj për përparimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt BE-së i shpalosin kufijtë e asaj që kancelarja Merkel dhe Gjermania mund ta bënin në raport me zgjerimin.

“Nëse kemi një vend si Bullgaria, që nuk është më i fuqishmi, e mund të bllokojë procesin e integrimit evropian, kjo tregon kufijtë e ndikimit gjerman në kuadër të BE-së”, deklaroi ai.

Beberi përkujtoi se, kur Angela Merkel mori detyrën për herë të parë, kishte një skenar optimist që vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhen anëtare të BE-së, por vetëm Kroacia hyri në Bashkimin.

“Deri në një nivel të caktuar, ky është një dështim i Gjermanisë në 15 vitet e fundit. Ajo nuk është përgjegjës për këtë, por kjo i tregon kufijtë e ndikimit gjerman në rajon dhe në kuadër të BE-së”, theksoi Biberi.

Sipas tij, Serbia dhe Shqipëria janë “vende kyçe”, veçanërisht për shkak të bashkëpunimit në nismën “Ballkani i Hapur” dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri shqiptar Edi Rama janë “politikanët më të fortë në rajon”, por që vizita mund t’u dërgojë atyre porosi problematik meqë ata janë më shumë si sundimtarë sesa si politikanë.

Duke komentuar deklaratën e anëtarit të presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës Zheljko Komshiq se Merkeli mbështet politikën e Vuçiqit, Biber tha “Unë nuk do ta thosha këtë aq thjesht”.

“Vizita nuk është mbështetje automatike, kjo do të thotë që Merkel beson se Serbia është vend i rëndësishëm dhe se është e rëndësishme të vizitohet”, tha ai, duke shtuar se “ajo nuk ishte mjaft kritike ndaj krizës së demokracisë në Serbi dhe Presidentit Vuçiq”.

Ai tha se “nga perspektiva gjermane, ka qenë gjithmonë e qartë” se në fund të bisedime mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të ketë njëfarë njohje të Kosovës.

Mirëpo, problemi qëndron në atë se çfarë mund t’u ofrojë BE-ja Serbisë dhe Kosovës si shpërblim për përfundimin e bisedimeve, vlerësoi ai.

Sipas tij, BE-ja nuk mund të ofrojë “anëtarësim të përshpejtuar” sepse vendet e tjera mund të bllokojnë Beogradin ose Prishtinën, e edhe për shkak se “situata e demokracisë në Serbi është aq problematike”.

Biberi beson se politika e Angela Merkel ndaj rajonit kishte anët e mira, por që kancelarja “nuk u angazhua tërësisht”.

Procesi i Berlinit nuk është iniciativë e keqe, por nuk është mjaft e thellë dhe strategjike sa të ndryshojë trendët negative në rajon, tha ai.