Bie numri i infektimeve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut javën e kaluar janë regjistruar 3477 raste të reja pozitive me Covid-19, që është një rënie prej 8,7 për qind krahasuar me javën e kaluar.

Janë kryer 7682 teste dhe përqindja e pozitivitetit varion nga 33.4 në 49.4, mesatarisht 43.6 për qind. Sipas raportit javor të Institutit të Shëndetit Publik për periudhën prej 8 deri më 14 gusht, shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi, ndërsa shkalla më e lartë është regjistruar në Kavadar, Negotinë dhe Ohër.

Janë regjistruar persona të sëmurë në të gjitha grupmoshat. Grupmosha më e përfaqësuar është mbi 60 vjeç, ndërsa numri më i vogël është tek popullsia nga 10 deri në 19 vjeç.

Gjatë javës së fundit statusin e “të shëruarit” e kanë marrë 3750 persona në kushte spitalore ose me trajtim në shtëpi, 16,9 për qind më pak krahasuar me shtatë ditët e mëparshme. Janë regjistruar 729 riinfeksione, me një rënie prej 10,8 për qind. U raportuan 16 vdekje, identike me javën e kaluar. Të gjithë vdiqën në kushte spitalore dhe sëmundjet shoqëruese u regjistruan në 15. Gjatë javës së kaluar janë shtruar 52 persona, ndërsa aktualisht në spitale po trajtohen 199 pacientë, që është 10.6 për qind më shumë krahasuar me javën e kaluar. (INA)