Bie qeveria bullgare, Petkov thotë se e rrëzuan elementet ruse

Parlamenti bullgar me 123 vota për dhe 116 kundër rrëzoi qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov, një mocion mosbesimi i dorëzuar nga partia më e madhe opozitare GERB e Bojko Borisov, përcjell INA.

Petkov tha se kjo Qeveri u rrëzua nga elemente ruse, ku ai me ironi përmendi edhe emra.

“Ishte nder për mua të drejtoja një qeveri që u rrëzua nga Peevski , Borisov , Trifonov dhe Mitrofanova, ambasadori i Rusisë në Bullgari”, tha ish kryeministri Kiril Petkov.

Sipas tij, ky votim është vetëm një hap i vogël në një rrugë shumë të gjatë. “Ajo që ata (opozita) nuk kuptuan ishte se në këtë mënyrë nuk mund ta fitojnë popullin bullgar. Unë premtoj se do të vazhdojmë këtë betejë për të fituar vendin tonë. Dhe një ditë do të kemi Bullgarinë pa njerëz të sunduar nga hija, pa mafia, një vend normal, një vend të suksesshëm evropian. Faleminderit!” , tha Petkov në fjalimin e fundit si kryeministër.

Nga koalicioni qeveritar thanë se do përpiqen të formojnë qeveri të pakicës dhe do bëjnë çmos mos vijë deri të zgjedhjet e parakohshme. Sipas procedurave, presidenti Radev partisë më të madhe duhet të japë mandat për formimin e Qeverisë, gjegjësisht “Vazhdojmë me ndryshimet” në krye të cilës është Petkov. Derisa vazhdoi votimi mijëra qytetarë ishin para Kuvendit në mbështetje të kryeministrit Petkov.(INA)