“Bigbrothermania”: Shfaqje reale televizive apo ikje nga realiteti?  

Iliria News Agency
Iliria News Agency

11/04/2023

Shkruan: ARTA TAHIRI

“Big Brother” (Vëllai i madh), një shfaqje reale televizive, së fundmi thyen rekordet e shikueshmërisë. Matjet dhe hulumtimet e ndryshme tregojnë se publiku shqiptar kudo është bërë “sy e veshë” me “Big Brother Albania” dhe “Big Brother Kosova”.

Edhe pse nuk ka matje për shikueshmërinë te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, gjykuar nga reagimet në rrjetet sociale, por edhe nga ato në përditshmëri, ndikimi i këtij zhanri të veçantë programor televiziv është tepër i madh. Për Luizin dhe “Big Brotherin” flasin të rinj e të moshuar, njerëz të shkolluar e të pa shkolluar, flasin nxënësit, studentët, madje edhe mësuesit dhe profesorët, punëtorët, mjekët, bujqit, taksistët, pensionistët dhe administratorët. Nuk përjashtohen as politikanët, gazetarët dhe komentatorët!

“Big Brother”, spektakël komercial që nxit më shumë debat se temat e rëndësishme shoqërore

Natyrisht se mediat komerciale kudo në botë funksionojnë mbi parimin e përfitimit nga përmbajtjet programore. Por në shtetet e zhvilluara tentohet të arrihet një balancim midis dy funksioneve themelore që ka media: informimit dhe argëtimit, meqë funksioni edukativ (arsimor) më shumë është mision dhe detyrim ligjor i shërbimeve radiodifuzive publike, që në rastin tonë është Radiotelevizioni Nacional (ish RTVM-ja).

Sa e kryen ky shërbim funksionin edukativ është temë në vete. Por, pavarësisht se mediat private duhet të “luftojnë” për një shikues më tepër, që u sjell reklama dhe shumë të ardhura materiale, kjo nuk do të thotë se ato nuk duhet të angazhohen fare që të jenë në shërbim të interesit publik (të përgjithshëm), përkatësisht mbrojtjes dhe afirmimit të vlerave të mirëfillta shoqërore, para së gjithash politike – demokratike, por edhe ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, sportive e të tjera.

Mirëpo, javëve të fundit, faqet e portaleve (se të gazetave që moti kanë lexim super minimal), janë “vërshuar” me një mori lajmesh që kanë të bëjnë me jetën e banorëve të “Big Brother Albania”, madje shumë më tepër se sa ato mbi krizën ekonomike apo zhvillimet politike. Media në kohë krize, kur po zhvillohen procese të rëndësishme shoqërore, popullit i “dhuron” spektakël të madh!

Kreshnik Spahiu, aktivisti i shoqërisë civile në Shqipëri i cili jeton jashtë, këtyre ditëve publikoi komentin me titull “3 milionë francezë për pensione po djegin Parisin, ndërsa në Shqipëri 3 milionë shqiptarë po digjen për Luizin“. “Lexoni komentet pas çdo lajmi kur flitet për art, kulturë, sport, shëndetësi, politike. Të gjitha shoqërohen me mijëra komente banale. Të gjithë shpalosin fjalorin dhe çmendurinë e tyre nga ora 7 e mëngjesit deri 3 të natës sepse këto kohë edhe gjumin e kanë në një orë me Luizin, duke demonstruar sa larg nga qytetërimi evropian jemi. Shqiptarët heshtin për çmimet, papunësinë, eksodin, varfërinë dhe “lehin” si qen 24 orë për “idhujt” apo “demonët” e ekranit. Ata kanë heronjtë dhe armiqtë e tyre sureal, që i kanë krijuar nga media apo rrejtët sociale”, thotë Spahiu.

Lajmë të panumërta mbi Luizin

Vërtet, interneti dhe rrjetet sociale janë përplot me lajme të tipit “Luizi qau me lot, vjen reagimi i moderatores“. Mediat, kryesisht portalet, njërit nga banorët e “Big Brotherit” i referohen vetëm me emër. Në fakt, bëhet fjalë për Luiz Ejlin, një këngëtar, i cili tashmë është bërë personazh i njohur televiziv. Një pjesë e mediave, edhe pse do të duhej të kishin një qasje neutrale ndaj gjithë pjesëmarrësve në garë, tregohen favorizuese ndaj këtij personi, të cilin e etiketojnë si “protagonisti kryesor i Big Brotherit“.

Mbi lidhjen e tij të dashurisë me njërën nga personazhet e “Big Brother”, Kiara Toto, raportohet dhe interpretohet çdo ditë gjerë e gjatë, madje duke publikuar edhe detaje të tipit ” A ka folur Kiara me familjarët e Luizit? Motra e këngëtarit shuan heshtjen dhe i tregon të gjitha“.

Nuk mungojnë as lajmet e tipit “Çmendet” Bekim Balaj, 10 mijë euro për Luizin e Big Brother” ose “Jam daja i Luizit”, Gjergj Luca zotohet për dasmën madhështore të ‘nipit’ me Kiarën: Më 7 maj super suprizë“! “Bigbrothermania” ka shkuar përtej pritjeve reale! Për shembull, Fisnik Syla, një biznesmen nga Kosova, është zotuar se nëse Luizit nuk i jepet çmimi i parë në lojën brenda shtëpisë, ai do t’ia japë shpërblimin prej 100 mijë euro.

“Lajmet” që i përdorëm për të ilustruar preokupimin masiv të mbarë shqiptarëve anë kënd botës, na shpien në përfundimin logjik se ata janë “rreth Big Brotherit të përbashkuar”. Tek këto “lajme” triviale, nuk ka asnjë interes publik. Mirëpo, si duket, një pjesë e popullatës, kohën e lirë që ka e shpenzon në masë të madhe duke bërë “sehir” (soditje për zbavitje) programet e këtij tipi, që së bashku me telenovelat, sot kanë “pushtuar” ekranet televizive.

Prapëseprapë, edhe pse një pjesë e përgjegjësisë i takon edhe publikut, nuk mund të fajësohet vetëm populli apo masa e gjerë për masivizimin e “Big Brotherit”. Kuptohet se pjesa më e madhe e përgjegjësisë i takon medias, e cila arsyetohet se jetojmë në shoqëri të lirë dhe njerëzit janë të lirë të ndjekin çfarë dëshirojnë, nëse e bëjnë pa imponime. Por, liria e shprehjes dhe e medias, në asnjë moment nuk do të thotë abuzim me hapësirën publike dhe manipulim i shijes së publikut!

Historia e “Big Brotherit”

Ideja për këtë shfaqje erdhi gjatë një sezoni për ide të reja në shtëpinë prodhuese John de Mol (pjesë e pavarur e Endemol) më 4 shtator të vitit 1997. Transmetimi i parë i “Big Brother” u bë në Veronica TV të Holandës, në vitin 1999. Që atëherë, është një shfaqje shumë e kërkuar në shumë vende. Emri i shfaqjes vjen nga vepra e Xhorxh Oruell, e botuar në vitin 1949.

Në çdo sezon tremujor, një grup njerëzish, zakonisht më pak se 16, banojnë së bashku në shtëpinë e “Big Brother”, të izoluar nga bota e jashtme, por të ndjekur vazhdimisht nga kamerat televizive. Banorët përpiqen të fitojnë një shumë parash (100 mijë euro në Shqipëri dhe Kosovë), duke iu shmangur eliminimeve periodike nga shtëpia!

“Big Brother Albania” ka filluar transmetimin më 23 shkurt të vitit 2008 në Top Channel dhe vazhdon po në këtë televizion, ndërsa në Kosovë u transmetua nga Klan Kosova.

Me të gjitha karakteristikat që i ka si fenomen i spektaklit mediatik dhe shoqëror, “Big Brother” po merr trajtën e një versioni bashkëkohor të cirkut të gladiatorëve në Romën e lashtë, kur Perandoria kujdesej që popullit t’i siguronte ‘bukë dhe lojëra’, që ai në këtë mënyrë të harrojë brengat dhe hallet e vërteta të jetës së përditshme./iM@

Instituti për Media dhe Analitikë

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

barnatore

“Cilat ilaçe duhet të ruhen në temperature dhome, cilat në frigorifer, cilat janë njëpërdorimshe dhe pse?”

heidi romeo

Egla e zhgënjyer nga Heidi: Më ka lënduar, më nxori nga dhoma

donaldi romeo

“Nesër sytë nga qielli”/ Donaldi bën njoftimin e rëndësishëm për Romeon

heidi romeo

Heidi dhe Romeo marrin vendimin e papritur, duan të largohen nga shtëpia

romeo-heidi-juli-1024x659

“Big Brother”/ Kush e dërgoi parashutën për çiftin? Juli, Romeo dhe Heidi hedhin dyshime me deklaratat

luizi

Nuk kishte si të mungonte, Luizi bën urimin e veçantë për Nëna Letën

ZHAKU

Mesazhi për Meritonin në “Big Love”, reagon Zhaklin Lekatari

Sara gjordeni bbvip

Sara Gjordeni tregon kush është vajza që ajo mbështet dhe që do ta fitojë BBV3

franci

Sa kushtoi veshja e Françeskës në ‘Prime-n’ e djeshme?

INFO

NA NDIQ