BLEGTORIA: Ka investime, por mungon strategjia

0

Përfaqësuesit e bujqve thonë se, krahas rritjes së kostos së kultivimit të bagëtive, çmimit të shtrenjtë të ushqimit të kafshëve…, për vite me radhë po ulet edhe interesimi i të rinjve për t’u marrë me blegtori

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 4 korrik – Përkundër derdhjes së qindra e qindra miliona eurove viteve të fundit në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, megjithatë po shënohet ulja e numrit të bagëtive në vend.

Të dhënat statistikore tregojnë se nga 241.607 krerë lopë në vitin 2014, shënohet rënie në 217.790 në vitin 2018. Ulje shënon edhe numri i dhenve nga 740.457 në vitin 2014 në 684.558 në vitin 2018. Në këtë periudhë katërvjeçare dhe numri i shpezëve është reduktuar nga 1.939.879 në 1.562.089. Rritje ka shënuar vetëm numri i dhive nga 81.345 në 87.581.

Edhe përkundër subvencioneve për tokën bujqësore, për krerët e lopëve si dhe për qumështin e grumbulluar, megjithatë shënohet ulje e numrit të tyre. Blegtorët thonë se kjo problematikë është e vjetër, ndërsa vjen si rezultat i problemeve të shtresuara në blegtori për vite me radhë që në fund rezultojnë me uljen e fondit të kafshëve në shtet.

Përfaqësuesit e bujqve thonë se krahas rritjes së kostos së kultivimit të kafshëve, çmimit të shtrenjtë të ushqimit të kafshëve, për vite me radhë po ulet edhe interesimi i të rinjve për t’u marrë me blegtori. “Ndër shkaqet kryesore pse po shënon ulje për çdo vit numri i kafshëve, është edhe fakti se të rinjtë nuk e duan dhe nuk e preferojnë një punë të tillë, për shkak se ndjehen të nënçmuar nëse merren me bujqësi apo me blegtori. Gjithashtu, mungon edhe një garanci më e fuqishme nga ana e shtetit se do të qëndrojë fort pas blegtorëve, si dhe nuk ka as siguri për shitblerjen e sigurt të prodhimeve bujqësore me çmime të arsyeshme që do të kthejnë investimin dhe do të ofrojnë një fitim solid për bujqit”, thotë Memet Sinani, anëtar i Këshillit Drejtues së Federatës së Fermerëve të Maqedonisë.

Sipas tij, mungon edhe një prezencë më e madhe dhe më serioze e shtetit në terren dhe më pranë bujqve. Ato për çdo vit kanë edhe hallin e shitjes së prodhimeve të tyre , shpesh nuk respektohet as çmimi minimal i garantuar me ligj. Problem më vete është edhe ajo se edhe tek ndihma e shtetit për naftën e gjelbër nuk janë përfshirë as një e treta e fermerëve, ndërsa edhe sasitë që ndahen nuk kënaqin nevojat e fermerëve shton më tej Sinani. Nga ana tjetër, ekspertët e bujqësisë thonë se kultivimi i kafshëve kërkon më shumë vëmendje dhe kujdes nga ana e shtetit për shkak se përpunimi përfundimtar i prodhimeve bimore në fund sjell edhe më shumë përfitime apo më shumë të holla për arkën e shtetit.
“Blegtoria në përgjithësi duhet të fitojë një përkrahje edhe më të madhe , për shkak se ajo në fund të fundit po sjell edhe finalizimin e prodhimtarisë bimore apo me fjalë të tjera ajo sjell shitjen e djathit, mishit e kështu me radhë “, thotë eksperti bujqësor Boris Anakiev. Ndryshe, prodhimtaria bimore me 68 për qind në vitin 2016 dominon në prodhimtarinë bujqësore në raport me prodhimtarinë blegtorale me 32 për qind. Raporte të ngjashme kanë edhe shtetet e rajonit për dallim prej shteteve evropiane ku dominon prodhimtaria blegtorale.

NUMRI I LOPËVE

2014: 241.607

2018: 217.790
NUMRI I DHENVE

2014: 740.457

2018: 684. 558

NUMRI I DHIVE

2014: 81.345

2018: 87.581

NUMRI I SHPEZËVE

2014: 1.939.879

2018: 1.562.089

(koha.mk)