Blerim Reka: Këto zgjedhje janë sfidë për shqiptarët

0

Kandidati i pavarur për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut profesori Blerim Reka, e ka quajtur sfiduese garën zgjedhor për president.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka treguar se arsyeja kombëtare dhe ajo intelektuale e kanë shtyrë të kandidojë për të parin e vendit.

“Epoka e re”: Z. Reka, ju keni arritur t’i mblidhni 11 000 nënshkrime të cilat e zyrtarizojnë kandidaturën tuaj për president të Maqedonisë së Veriut. Pse vendoset t’i hyni garës presidenciale të 21 prillit?
Reka: Për të kandiduar për president vendimtare ishin dy arsye: njëra intelektuale, tjetra kombëtare. Pra, vendosa që nga kritikat virtuale t’i hyj sfidimit real politik dhe në vend të soditësit dhe kritikuesit pasiv digjital, të marr përgjegjësi për ta ndryshuar realitetin. Nga ana tjetër më dukej e papranueshme që shqiptarët të redukoheshin në një makinë elektorale që duhet dirigjuar konform diktatit partiak, pa asnjë kandidat shqiptar. Me vetëm dy kandidatë maqedonas, Republika e Maqedonisë së Veriut do të shndërrohej në një shoqëri të dy kategorive qytetarësh. Atyre që votojnë për ata që duhen votuar.

“Epoka e re”: Sa do të jetë sfiduese për ju si kandidat i pavarur ky proces zgjedhor?
Reka: Vetë fakti se kam përballë dy kandidatë fuqimisht të përkrahur: njëri me mbështetje të koalicionit qeverisës prej 31 partish politike, tjetra kandidate e partisë më të madhe opozitare, është sfidues. Mendoj se kjo ishte sfidë jo vetëm për mua e për dy partitë mbështetëse të kandidaturës sime, por për tërë elektoratin shqiptar. Edhe pse kandidat i pavarur, me mbështetjen e vetëm dy partive opozitare shqiptare, Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, besoj se elektorati këtë herë do të dijë të përcaktohet se kujt duhet t’i japë votën. Nga ana ime, siç e kam thënë disa herë, nuk do të tregtoj me votat e tyre. Ato janë të shenjta dhe vetëm të tyre e jo mall tregtar të partive në pazaret politike, siç ka ndodhur në rrethin e dytë në zgjedhjet e mëparshme presidenciale në vend. Verdikti i popullit nuk është në shitje.

“Epoka e re”: Deri më tani keni marrë mbështetjen e partive shqiptare në opozitë, por jo edhe të atyre që janë pjesë e koalicionit qeverisës.
Reka: Besoj se po e vëreni se nuk po dua të merrem me partitë që nuk guxuan të nxjerrin kandidat të vetin, por u rreshtuan përkrah kandidatit të LSDM-së. Fundja, nuk më takon mua ta komentoj vendimin e partive shqiptare që u rreshtuan pas kandidatit të pushtetit. Por, duhet thënë se janë po ato parti shqiptare që mbështetën unifikimin e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi për fitoren për bashkinë e Tuzit, ndërkaq në Maqedoni nuk përkrahën kandidaturën e vetme shqiptare.

“Epoka e re”: Cila do të jetë platforma juaj me të cilën synoni ta merrni pozitën e presidentit?
Reka: Do të garoj për president të një republike shumetnike (përbrenda) dhe euroatlantike (në aspektin ndërkombëtar). Rikthimi i republikës është thelbi i programit tim politik presidencial, ngaqë republikën e vërtetë e bëjnë vetëm: sundimi i ligjit, demokracia, gjyqësori i pavarur dhe respektimi i drejtave të njeriut. Sundimi i individit, ndërkaq, e zhbën republikën, duke e bërë atë shtet privat. Qeveria e mëparshme për 11 vjet e shndërroi Maqedoninë shtet të kapur, kurse presidenti aktual për 10 vjet e bëri atë shtet privat. Besuam të gjithë se shteti do të shkapet dhe do depersonalizohet, por për këta dy vjet kjo nuk ndodhi. Gjyqësori është ende politikisht i varur, Prokuroria Speciale pezull, administrata publike e nepotizuar, kriminelët e amnistuar, kurse deputetët nën hetime të imunizuar. Prandaj, kthimi i rendit republikan dhe depersonalizimi i shtetit është synimi i mandatit tim presidencial. Shteti nuk është pronë private, por trashëgimi e gjithë qytetarëve të saj të barabartë. Prandaj, Maqedonia e Veriut, si shoqëri shumetnike, duhet të jetë edhe republikë shumetnike. Më së paku, ajo mund të funksionojë me dozat e lejuara për të drejtat individuale dhe kolektive. Republika nuk njeh demokracinë e dozuar dhe as ‘kombe statistikore’ (20 %), të cilëve u lejohen aq të drejta sa janë në përqindje. Në republikë nuk ka ‘dhënie’ të drejtash, sepse ato janë të drejta të lindura si shtetas të këtij shteti, e jo ‘dhuratë’ diskrecioni nga pushteti që vendos se kujt, kur dhe sa të drejta do t’i lejohen. Ky synim për një republikë të njëmendtë do të jetësohej përmes pesë drejtimeve të programit tim presidencial nga: stabilizimi i marrëdhënieve ndëretnike (në politikën e brendshme) deri te politika e jashtme euroatlantike dhe e koekzistencës rajonale fqinjësore; gjitha këto si parakushte për ta kthyer perspektivën jetësore në vend dhe me të ndaljen e procesit të zbrazjes së vendit. Pra, synimet e para do të jenë në funksion të atij të fundit: parandalimit të zbrazjes së shtetit. Ndryshe, në BE para shtetit do të ‘integrohen’ qytetarët e ikur, kurse Republika e Maqedonisë së Veriut nga shteti anëtar do të mbetej shtet i zbrazët.

“Epoka e re”: Pse qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’ju votojnë juve për president dhe jo kandidatët e tjerë?
Reka: Sepse synoj rikthimin e besimit të humbur në shtetin dhe heqjen e depresionit të përgjithshëm që zbrazi çerekun e popullatës dhe kërcënon që në dekadën e ardhshme ta zbrazë edhe çerekun tjetër. Pra, vota e tyre do të jetë votë për parandalimin e shndërrimit të Maqedonisë së Veriut në shtet të zbrazët.

“Epoka e re”: Z. Reka, përballë jush është kandidati i koalicionit qeveritar Stevo Pendarovski, i cili, në bazë të mbështetjes politike, ka gjasat më të mëdha për fitore. Cilat janë pritjet tuaja nga zgjedhjet e 21 prillit?
Reka: E thash edhe më herët, unë i dua sfidat sepse vetëm sfidat sjellin ndryshime. Fakti se atë e mbështesin 31 parti politike qeveritare me mbi gjysmën e elektoratit, më motivon edhe më tepër që të shkoj deri në fund për jetësimin e vizionit tim për një republikë shumetnike dhe euroatlantike.

(Shqipe Hetemi)