“Blick”: Kurti do të takohet me zëvendëspresidentin e Zvicrës

Mediumi zviceran “Blick” ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të zhvillojë një takim me zëvendëspresidentin e Zvicrës, Alain Berset, gjatë Forumit Ekonomik Botëror që do të zhvillohet në Davos nga 22 deri më 26 maj.

“Zëvendëspresidenti, Alain Berset, do të zhvillojë bisedime me presidentin kolumbian Ivan Duque dhe presidentin e Zimbabvesë Emmerson Mnangagwa si dhe me krerët e qeverive të Tunizisë, Najla Bouden dhe të Kosovës, Albin Kurti” , shkruan “Blick”.

Pjesë e këtij forumi do të jetë edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba,i cili do të takohet me presidentin e Zvicrës, Ignazio Cassis, ku do të diskutohet edhe invazioni rus.

“Pas fjalimit të tij të hapjes të hënën, Presidenti Cassis do të takohet me Dmytro Kuleba të martën, siç njoftoi të premten Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA). Gjithashtu është planifikuar një takim me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez”.

Gjithashtu, në këtë forum do te ketë takim edhe në mes ministres së Mbrojtjes së Zvicrës, Viola Amherd dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku pjesë e diskutimit do të jetë edhe çështja e Ballkanit Perëndimor.

Kujtojmë se nga Zyra e Kryeministrit nuk ka ndonjë informatë nëse Kurti do të udhëtojë në Zvicër e as nëse e ka përfunduar vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.