Blinken fajëson Rusinë për raketat që vranë dy persona në Poloni

Shpërthimi i raketave në një fshat në Poloni, pranë kufirit me Ukrainën shkaktoi tensione dhe reagime të forta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se Rusia mban “përgjegjësinë përfundimtare” për raketën që ra në Poloni dhe vrau dy persona.

Sakaq hetimet që po zhvillohen pritet të përcaktojnë se nga është lëshuar kjo raketë.

“Sido që të jetë përfundimi i hetimit, ne tashmë e dimë palën që mban përgjegjësinë përfundimtare për këtë ngjarje tragjike, pra Rusinë,” tha Sekretari i Shtetit i SHBA nga Bangkok, përpara një samiti të udhëheqësve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor.

Më tej shtoi: “Ajo që ne shohim çdo ditë sot është Rusia hedh raketa në Ukrainë, duke kërkuar të shkatërrojë infrastrukturën e saj,” tha kreu i diplomacisë amerikane.

“Ukraina ka të drejtë të mbrohet dhe ne jemi të përkushtuar të mbështesim Ukrainën,” shtoi ai.