Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken pritet të vizitojë Tiranën më 16 Shkurt. Burime diplomatike në Washington, thanë për Top Channel se është duke u punuar në finalizimin e detajeve të kësaj vizite, e para për Blinken në Shqipëri, prej vitit 2021 kur ai mori drejtimin e diplomacisë amerikane.
Për momentin nuk dihet cili është qëllimi i kësaj vizite, por sugjerohet se vjen si një vlerësimin amerikan për Shqipërinë, si një aleate e SHBA dhe në NATO.
Gjithashtu sekretari Blinken ka qenë aktiv përmes mesazheve për de-eskalimin e situatës së tensionuar në veri të Kosovës, shtatorin e vitit të shkuar.
Vizita e parë e një sekretari amerikan shteti në vendin tonë ishte ajo e James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991. Ndërsa e dyta vizitë e një tjetër sekretari amerikan shteti ishte ajo e Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, ku mbajti edhe një fjalë në parlamentin shqiptar. Në 2 maj 2003, Colin Powell u prit asokohe nga kryeministri Fatos Nano, zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Ilir Meta. Hilary Clinton më 1 nëntor të 2012 vizitoi gjithashtu Tiranën, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Pasuar nga një tjetër vizitë e John Kerry, më 14 shkurt 2016. Ardhja e Antony Blinken në vendin tonë do të shënojë vizitën e gjashtë të një sekretari shteti të SHBA-së në Shqipëri.