Sekretari Amerikan i shtetit, Antony Blinken pritet që të jetë pjesë e mbledhjes së këshillit ministror të OSBE-së që do të mbahet në fund të muajit në Shkup.
Sinjale për këtë vizitë ka dhënë ministri i jashtëm, Bujar Osmani, i cili tha se nuk ka të dhëna se Blinken mund të mos vijë në Shkup.
Ai theksoi se në procedurë për ardhjen në Shkup është edhe ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, vendi i të cilit është subjekt i sanksioneve të BE-së pas luftës me Ukrainën.
“Në sanksione thuhet se organizatat ndërkombëtare si OSBE-ja lejohen të fluturojnë. Megjithatë, vendimi është në dorë të shteteve anëtare. Prandaj do të duhet të vendosin fqinjët tanë, por edhe ne për hapësirën tonë ajrore”, theksoi Osmani për emisionin “360”, i pyetur për ardhjen e shefit të diplomacisë ruse Lavrov.
I pyetur nëse është e mundur që nëse vjen Lavrov, të mos marrë pjesë ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, shefi i diplomacisë dhe kryetar aktual i OSBE-së shpreson se kjo nuk do të ndodhë.
“Prandaj shkova në Kiev dy-tre javë më parë, për të siguruar praninë e Kulebës. Jemi ende në bisedime. Mendoj se si në Vjenë kemi takim çdo të martë, ashtu duhet të jetë edhe në Shkup”, tha Osmani.
Ai shtoi se në takimin në Shkup, sipas informacioneve që ka, pritet të marrin pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Britanisë së Madhe, vendeve anëtare të NATO-s, BE-së dhe Azisë Qendrore. Sipas Osmanit, do të vijë edhe zëvendësministri i Tajlandës, i cili do të jetë përfaqësuesi i parë zyrtar nga ky vend që vjen në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia.
Në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup pritet prania e 76 delegacioneve, prej të cilave 57 janë nga vendet anëtare të OSBE-së dhe 11 nga vendet partnere nga grupet mesdhetare dhe aziatike. Për të akomoduar këto delegacione janë rezervuar pesë hotele. Samiti do të fillojë me një darkë joformale, e cila siç tha Osmani do të mbahet më 29 të këtij muaji.(INA)