Bllokohen hyrjet e Shkupit nga sindikalistët, kërkohet rritja e rrogave

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut (LSDM) prej sot ka nisur me bllokimin e hyrjeve të Shkupit, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre për rritjen lineare të rrogave prej 2.806 denarë për secilin punëtor.

Sindikalistët nga mëngjesi kanë nisur me bllokimin e hyrjes së Shkupit në lagjen Autokomandë, hyrja kryesore e kryeqytetit dhe se bllokada do të zgjas nga ora 7 deri në 10, përcjell INA.

Ata kërkojnë që rritja e pagave të futet ose me amendament ose përmes Kontratës së Përgjithshme Kolektive. Bllokada nuk do të vlej vetëm për ambulancat, policia, ushtria dhe zjarrfikësit.

Nga LSM theksuan se pakënaqësia e punëtorëve në sektorin publik është e madhe dhe për këtë arsye ata vendosën të vazhdojnë me forma të tjera të presionit sindikal dhe të shprehin pakënaqësi në rrugë. Kjo sindikatë të mërkurën e kaluar organizoi një grevë të përgjithshme në sektorin publik.(INA)