Bomba e Zoran Zaev për ndarjen e Kosovës, dekonspiroi Hashim Thaçin e Edi Ramën

0

Shumë herë është diskutuar ideja për korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për këtë ka folur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Por, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka zbuluar disa detaje të cilat tregojnë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksadër Vuçiq, presidenti i Turqisë, Rexhep TaipErdogan, si dhe presidenti rus, Vladimir Putin kanë një plan sekret për ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Po ashtu, Zaev ka përmendur edhe bisedën me kancelaren gjermane, Angela Merkel, si dhe ShBA-të janë në dijeni për këtë plan.

“Unë dua të ndaj një shqetësim që kam për diçka që po ndodh këtu në rajonin tonë, ku Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Ne jemi shumë kundër kësaj, kancerlarja Merkles është shumë kundër kësaj, i gjithë rajoni është kundër sepse ne kemi frikë se ka disa qëllime të fshehura të Rusisë për të përdorur këtë si një praktikë ndërkombëtare. Unë dua që t`iu vë në dijeni juve që të jeni të fokusuar, sepse unë dje kam folur me kancelaren Merkel për këtë ne kemi patur gjysmë orë bisede telefonike për këtë çështje sepse unë e shikoj që dikush kërkon ta përdorë këtë fenomen si një praktikë të re ndërkombëtare për të ndryshuar kufijtë dhe që janë vende që kanë plane të lidhura në këtë drejtim siç është rasti i Turqisë me Qipron apo si Rusia me Abkazinë dhe Ukrainën. Unë jam shumë i shqetësuar se këtij lloj hapash do të përbëjnë një dëm të madh si rajonit tuaj ashtu edhe tonit. Ne jemi komplet kundër këtij modeli dhe ne do të bëjmë gjithçka. Ne kemi informuar forcat politike amerikane. Madje unë kam informur edhe vetë Zv/ Presidentin Pence dhe shefin e Departamentit Amerikan Z. Pompeo. Por, ne u kemi kërkuar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe sidomos zonjës Mogherini që të ndalojë këtë lloj aktiviteti sepse do ti shkaktojë një dëm të madh Ballkanit”, citohet të ketë thënë Zaev në këto biseda të publikuara nga Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov.

Po ashtu, ai ka përmendur me saktësi se Kosova do t`i jap Serbisë 10 komuna, ndërsa disa komuna në jug të Serbisë t`i jepen Kosovës.

“Serbia është shumë e lidhur me Rusinë, normal që ata e kanë atë lloj raporti. Por, për momentin problemi është me Kosovën. Mbase ju e dini këtë çështje. Zgjidhja që po diskutojnë është që 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t`i jepen Serbisë, dhe disa komuna në jug të Serbisë ti jepen Kosovës. Ky është ndryshim kufijsh dhe nuk është i mundur sepse përtej vijave të reja kufitare sërish ka andej e këtij kufirit si serbë edhe kosovarë dhe kjo vetëm se do të prodhonte luftëra. Ballkani do të ishte sërish një fuçi baruti. Por, përtej kësaj. Unë kam parë aktivitet të mundshëm, ndoshta unë jam gabim por ne duhet të jemi të fokusuar sepse disa forcat në Rusi dhe por edhe Turqia kërkojnë ta përdorin këtë si një praktikë të re ndërkombëtare, Rusia për Abkazinë dhe Turqia për Qipron dhe problemet që kanë me Greqinë”, ka thënë Zaev në telefonatën e publikuar në Youtube.

Ndërsa, ekspertët vlerësojnë se Zaev ka zbuluar planin sekret që është përfol tashmë e një kohë të gjatë.

Millaku: Kryeministri Rama dhe Presidenti Thaçi në anën serbo-ruse

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Drita Millaku, në një bashkëbisedim për “Bota sot” është shprehur se boshti i përkrahësve të idesë së ndërrimit të kufijve, epiqendër kanë Rusinë, dhe se rrezik përbën se presidenti Thaçi dhe kryeministri shqiptar Rama janë në anën e tyre.

“Në qoftë se shihet me vëmendje, boshti i përkrahësve të idesë së ndërrimit të kufijve, epiqendër kanë Rusinë dhe kjo shpjegon gjithçka. Fatkeqësia këtu qëndron me faktin se në anën ruse dhe serbe janë edhe Thaçi dhe Rama dhe kjo përbën rrezik”, ka thënë deputetja e VV-së.

Millaku ka deklaruar se Thaçi me këto veprime po tregon se punon për interesa të Serbisë dhe të Rusisë.

“Me këto veprime Thaçi veç po e tregon se punon për interesa jo vetëm të Serbisë, por edhe të Rusisë, të gjithë e dimë se çka do të thotë për rajonin ndryshimi i kufijve”, ka deklaruar ajo.

Duke i komentuar deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë Veriore, deputetja e VV-sëka theksuar se presidenti Thaçi është i gatshëm t`ia falë Serbisë jo vetëm Prishtinën, por edhe Prekazin. Ajo ështëshprehur se është koha që të diskutohet kjo çështje në Kuvendin e Kosovës dhe te merret vendim për shkarkimin e Thaçit.

“Sipas asaj që dëgjuam nga Zaev duke i premtuar 10 komuna, atëherë Thaçi është i gatshëm jo vetëm Prishtinën, por si duket edhe Prekazin t’ia fal Serbisë. Është koha që të mblidhet parlamenti të diskutohet kjo tradhti dhe të merret vendim për shkarkimin e Hashim Thaçit”, ka thënë Millaku për “Bota sot”. Sipas saj, presidenti këtë angazhim e bënë për dy arsye.

“Pra të gjitha këto ide dhe gjithë ky angazhim për këtë ide Thaçi, e bënë për dy arsye njëra që ti shpëtoj gjykatës speciale dhe tjetra të mbijetoj në politik duke krijuar gjëra të tilla, si duket Thaçi këtë projekt e ka filluar qysh në vitin 1999 pra themelet e kësaj ideje ai ka filluar qysh para 20 viteve nëpërmes agjenturave franceze”, ka deklaruar deputetja Millaku për “Bota sot”.

Burjani: Nuk ka bashkim, s`ka shkëmbim territorial

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, nuk beson se mund të ketë një plan të tillë, ai shprehet se një plan i tillë për korrigjimin e kufijve ka ekzistuar në vitin 1956.

“Jo, kjo është gënjeshtër, nuk ekziston një planë tillë fare, e vërteta është se ishte një plan për korrigjim teknik të kufijve të viti 1956, disa fshatra të Kosovës do t`i takonin Serbisë, Lugina dhe disa fshatra të vegjël tjera do t`i jepeshin Kosovës, nuk ka asnjëherë planë ekstrem të ndarjes së Kosovës, ka spekulime shumë në këtë drejtim”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Burjani ka thënë se nuk do të ketë ndarje as bashkim të Kosovës me një shtet tjetër, si dhe thekson se as nuk do të ketë korrigjim të kufirit.

“Kosova për neve i ka kufijtë e vitit 1974, që mbetën i vetmi kufij legjitim ndërkombëtar i Kosovës.

Nuk ka ndarje të Kosovës as Bashkim me dikën tjetër e as korrigjim ekstrem territorial, këto janë parimet e politikes ndërkombëtare nuk ka bashkim, s`ka shembim territorial”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Bytyçi: Ai projekt është i Beogradit, i Vladimir Putin dhe në interes të Rexhep Taip Erdogan

Profesori marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka potencuar se Zaev ka zbuluar të çfarë është thënë me vite se Edi Rama, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç kanë ra në ujdi mes tyre për ndarje të Kosovës.

“Një përgjim i Zaev i publikuar ka zbuluar qartazi atë që ne kemi thënë prej vitesh, se Edi Rama, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç kanë ra në ujdi mes tyre për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë dhe ndarjen e Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori është shprehur se kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se ai projekt është i Beogradit, i Vladimir Putin dhe në interes të Rexhep Taip Erdogan.

“Nuk besoj se është rastësi publikimi i kësaj bisede, por në analizë të fenomenit, mund të konfirmoj se Zaev na jep një ndihmë të madhe për të konfirmuar dhe bind opinionin publik për atë që kanë thënë kundërshtarët e ndarjes së Kosovës, se ky akt është një shërbim i cili i bëhet jo vetëm Beogradit, por edhe Moskës. Ata që deshën ta zhbëjnë Kosovën na kanë lodhur veshët duke na thënë se ndarja e Kosovës është projekt amerikan. Përkundrazi, kryeministri i Maqedonisë së Veriut konfirmon se ai projekt është i Beogradit, i Vladimir Putin dhe në interes të Rexhep Taip Erdogan”, ka deklaruar për “Bota sot”.

Gjithashtu, Bytyçi për “Bota sot” se nuk ka pasur as dilemën më të vogël për atë se ndarja e Kosovës ishte interes i Serbisë dhe Rusisë, por na del se ajo ishte dhe interes i Erdoganit.

“Nëse kemi artikuluar faktin se ndarja e Kosovës është interes serb e rus dhe nuk është interesa amerikan dhe evropian, kjo ka ardhur nga lidhja e ngjarjeve, fakteve dhe të dhënave, si dhe nga analiza dhe ekspertiza që niset nga parimi se kush për këtë ka interes. Nuk kishim as dilemën më të vogël për atë se ndarja e Kosovës ishte interes i Serbisë dhe Rusisë, por na del se ajo ishte dhe interes i Erdoganit. Shqiptarët kanë detyrë të zbulojnë se cilat ishin interesat e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për angazhimin e tyre aktiv për ndarjen e Kosovës”, është shprehur ai.

Për më tepër, ka shtuar se nuk pret dorëheqjen e tyre dhe se do të duhet që të shkarkohen dhe të ndiqen penalisht për tradhti kombëtare.

“Zaev dha indicin për implikimin e presidentit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë në këtë aferë shkatërruese për Kosovën. Dhe ta mendosh që Zaev dhe Edi Rama na janë shfaqur si miq të njëri-tjetrit! Nëse do të kishim të bënim me liderë të përgjegjshëm, të dy këta duhej të kishin dhënë dorëheqjen. Por unë nuk pres dorëheqjen e këtyre tradhtarëve të kombit shqiptar në shërbim të Serbisë, Rusisë dhe Erdoganit. Prandaj ata duhen shkarkuar dhe ndjek penalisht për tradhti kombëtare”, ka thënë ai për “Bota sot”.

“Kosova duhet t’u falënderohet fqinjëve të tjerë të saj, përveç Serbisë dhe Shqipërisë, pra Maqedonisë dhe Malit të Zi, por edhe Bullgarisë e madje vendeve që nuk e kanë njohur si Rumania e Sllovakia, të cilat kanë ngritur zërin kundër ndarjes së Kosovës. Se për kryeministrin e Shqipërisë e presidentin e Kosovës, Kosova sot o të kishe disa komuna më pak, ose një territor 20 përqind më pak. Këta morën gërshërët dhe ia nisën ta persin hartën e Kosovës. Shqiptarët kanë ardhur në ditën kur Kosovën e mbrojnë sllavët e Ballkanit, përveç serbëve dhe e masakrojnë në të gjitha format, edhe në territor, presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

“Nuk besoj se ky projekt mund të ringjallet më”

Gjithashtu, ai ka falënderuar të gjithë ata që e kundërshtuan këtë çmenduri serbe e ruse të Thaçit e Ramës, duke e përfshirë këtu edhe Fuqitë e Mëdha, SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Francën.

“Një falënderim, nëse nuk rikthehet më kjo ide duhet të shkojë për të gjithë ata shqiptarë, politikanë apo opinionbërës, të cilët me kurajo iu kundërvunë çmendurisë serbe e ruse të Thaçit e Ramës. Mediat gjithashtu kanë luajtur rol të pazëvendësueshëm, përfshirë gazetën Bota sot. Historia do ta trajtojë këtë periudhë si sukses e fitore e politikave kombëtare të shqiptarëve, si fitore e medieve atdhetare, si fitore e të gjithë idealistëve që mbrojtën me guxim të drejtën themelore shtetërore e kombëtare, të drejtën e territorit. Së fundmi, falënderimi shkon për Fuqitë e Mëdha, SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Francën në kohët e fundit, të cilat i thanë jo këtij plani e projekti shkatërrues për paqen e sigurinë në rajon”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Në fund, profesori nuk beson se mund të ringjallët më ky projekt dhe se do të krijohej avantazh nëse shqiptarët do t`i largonin nga funksionet e nga atdheu i dy protagonistët kryesorë të ndarjes së Kosovës, Hashim Thaçin dhe Edi Ramën.

“Nuk besoj se ky projekt mund të ringjallet më. Por forcat e errëta antishqiptare mund të rikrijojnë avantazh nëse shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptarët në Kosovë nuk do t’i përzënë nga funksionet e nga atdheu i tyre dy protagonistët kryesorë të ndarjes së Kosovës, Hashim Thaçin dhe Edi Ramës, së bashku me Batonët e shumtë në anën e të dy kufijve shqiptaro-shqiptarë”, ka përfunduar profesori Bytyçi për “Bota sot”./BOTASOT.INFO