“Bombat” e përgjimeve a duhet të vlejnë ende si dëshmi, ja çfarë thonë ekspertët?

0

Prokurori i Prokurorisë Publike Speciale, për punën e tij jep llogari para prokurorit publik, thuhet në ligjin e propozuar, dhe pikërisht me këtë dispozitë, sipas ekspertëve mohohet pohimi i avokatit Toni Menkinovskit, i cili pas takimit të parë, deklaroi se për ta është e papranueshme që PPS-ja do të mos përgjigjet para askujt.

Mbikëqyrjen për kryerjen ligjore dhe në kohë të funksionit – prokuror publik të PPS-së, e bën prokurori publik, kurse kjo mbikëqyrje nuk guxon ta rrezikojë autonominë e saj, qëndron në ligjin e ri. Lidhur me kompetencat, thuhet se PPS-ja është kompetente të merret me veprat penale që dalin nga përgjimi i paligjshëm për periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015 për të cilat ka aktakuza të ngritura ose hetime të hapura, si dhe me korrupsionin e lartë të funksionarëve. Profesori Fërçkovski, thotë se kompetencat, që u janë dhënë sipas ligjit janë shumë të vogla, në krahasim me ekipin që e kanë.

“Kompetencat janë shumë të vogla, në krahasim me ekipin që e kanë. Mendoj se ai ekip duhet të rishpërndahet në repartet e tjera të Prokurorisë Publike. Bëhet fjalë për ekip të madh për çështjen e korrupsionit të lartë. Sa korrupsion ka, ka politikanë ka, edhe po t’i kontrollonin të gjithë ata që nuk janë të korruptuar, sërish ekipi do të ishte i madh”, deklaroi Profesori universitar, Ljubomir Fërçkovski.

Lidhur me të ashtuquajturat “bomba”, PPS-ja mund t’i përpunojë më së voni deri më 15 shtator të vitit 2020 dhe t’i përdorë si dëshmi, por vetëm për lëndët për të cilat është ngritur aktakuzë deri më 30 qershor të vitit 2017. Ish-gjykatësja në Gjykatën Supreme, Margarita Caca Nikollovska, tha se “bombat” duhet të vazhdojnë të përdoren si prova dhe se nuk duhet lejuar që veprimet kriminale të ngelim pa dënimin e duhur.

“Për mua sjellja është pak e diskutueshme. Vetëm deri dje “bombat” në një mënyrë ishin dëshmi, por nuk kanë qenë dëshmia e vetme, kurse tash tërësisht duhet të përjashtohen. “Bombat” nuk duhet të jenë dëshmia e vetme, kjo është gjëja e parë. Gjëja e dytë është se duhet siguruar procedurë të drejtë, ku mbrojtja do të mund të dalë me pikëpamje të veta lidhur me këto dëshmi”, u shpreh ish Gjykatësja, Margarita Caca Nikollovska.

Me këtë qëndrim nuk pajtohet prokurorja për krim të organizuar, Villma Ruskoska, e cila është decide se fati i “bombave” nuk duhet të përcaktohet me Ligjin për Prokurori Publike. Sipas saj organi i vetëm i cili mund të vendosë nëse ato do të përdoren si dëshmi apo jo, është Gjykata. Ajo shton se, PPS-ja duhet të shndërrohet në një sektor në kuadër të Prokurorisë Publike apo sektor në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion./Tv21