Borisov: Nuk dua të jem as ministër, as deputet apo kryeministër

“Nuk dua të jem ministër, deputet apo kryeministër”, kështu ka deklaruar dy ditë pas zgjedhjeve në Bullgari, fituesi i tyre, Bojko Borisov, i cili propozoi formimin e ekipeve negociuese me grupet parlamentare për formimin e shumicës së re.

Ai thotë se është i gatshëm për të gjitha llojet e kompromiseve dhe lëshimeve në emër të popullit. Borisov nuk u përgjigj me kë do të bënte koalicion, por ai ishte i bindur se nuk do të ishte me partinë e turqve DPS dhe Rilindja, e cila konsiderohet një parti politike pro-ruse.

” Nuk dua të jem as ministër, as deputet, as kryeministër. Fitorja ime morale është kulmi i asaj që doja të ndodhte – GERB është forca e parë politike. Ne do të propozojmë siç ishte në vitet ’90, një grup kontakti të ekipeve negociuese. Do të ftojmë edhe njerëz me reputacion të padiskutueshëm, së pari për temën më të rëndësishme, temën anti-Putin. Unë do të ftoj Plevnelievin, Solomon Passin, do t’i lëmë të propozojnë njerëz dhe ata do të bëjnë një raund negociatash mes partive politike që të gjithë të shprehen”, theksoi Borisov, përcjell INA.

Ndërkaq, socialistët e Kornelia Ninova kanë bërë të ditur se nuk do të mbështesin një qeveri të udhëhequr nga GERB, por nuk e përjashtojnë bashkëpunimin me Rilindjen.

Deri më tani, nga të shtatë partitë politike që kanë hyrë në parlament, vetëm partia e turqve DPS ka deklaruar se do të bashkëpunojë me GERB-in, të gjitha partitë e tjera politike kanë refuzuar çdo bashkëpunim me partinë e Borisovit, të cilën e konsiderojnë të korruptuar dhe të pareformuar.

Në parlamentin e ri bullgar GERB ka 67 deputetë ose 14 më shumë se partia “Ndryshimi Vazhdon” e ish-kryeministrit të fundit, Kiril Petkov. Në vendin e tretë renditet DPS-ja dhe pas saj “Rilindja” tejet radikale, e cila dyfishoi votat e saj në këto zgjedhje. Për të formuar një qeveri, nevojiten 121 vota në Kuvendin e Bullgarisë, numër që asnjë parti politike nuk mund ta merrte pa bashkëpunimin e DPS-së apo Rilindjes.(INA)