Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin për kompromis, insistoi në njohje

INA
INA

14 Shtator, 2023

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se kërkoi që të formalicohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Borrell priti të enjten në një rund të ri bisedimesh Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Sot, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, kam tentuar që të gjejmë zgjidhje për një rrugë përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe në Kosovë]. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, tha Borrell.

“Jemi përpjekur shumë, por, për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur të thyhen dallimet”, tha ai, duke shtuar se Vuçiq e pranoi propozimin e BE-së.

Borrell sqaroi se propozim i bllokut evropian është që Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh të zbatohet nga të dyja palët paralelisht.

Vuçiq: Bisedimet përfunduan pas sukses

Vuçiq tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel – për herë të parë pas më shumë se katër muajsh – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona – shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.

I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – “të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo”.

“Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar”, tha Vuçiq.

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, tha ai.

Për formimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë, për shkak të shqetësimeve të shprehura në Prishtinë, në lidhje me ndikimin që do të kishte ky asociacion në funksionalitetin e shtetit.

Marrë parasysh se nuk ka marrëveshje, një gjë e tillë “çon vetëm në probleme më të mëdha”, tha Vuçiq, por shtoi se bisedimet duhet të vazhdojnë.

“I shqetësuar për pozitën e serbëve në Kosovë”

Presidenti serb tha se në takim u diskutua edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Tha se nëse kryetarët shqiptarë të komunave atje japin dorëheqje, ai “do të japë gjithçka nga vetja” që komuniteti serb të marrë pjesë në procesin e ri zgjedhor, por vuri në dukje se nuk mund të premtojë në emër të tij.

“Para së gjithash, jam i shqetësuar. Nën dy, nuk jam i pakënaqur – së paku, jam i kënaqur që Serbia ka treguar konstruktivitetin e saj, përgjegjësinë dhe vullnetin për t’iu qasur zgjidhjeve të kompromisit… Dhe, nën tre, jam edhe më i shqetësuar për pozitën e popullit serb në Kosovë, pas gjithçkaje që pashë dhe dëgjova sot”, tha Vuçiq, duke shtuar se, në dy muajt e fundit, në Kosovë është rritur numri i incidenteve.

Ai nuk specifikoi më shumë, por tha se, sigurisht, pret reagimin e BE-së.

Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi”, shkroi më herët Borrell në platformën X.

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

IMG_5169

ASH vetë apo me BDI-në në zgjedhje, përgjigjet Taravari

gjykata-kushtetuese

Gjykata Kushtetuese nuk vlerëson kushtetutshmërinë e Marrëveshjes së Prespës

Gruevski Mickovski

Gruevski i kërkon anëtarësisë të mos i besojnë Mickoskit

taulant balla

Ligji për shtetësinë, Balla: Qytetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut të mos testohen

escobar eskobar gabriel

Eskobar: Maqedonia e Veriut vazhdimisht po dëshmon se është një partner i shkëlqyer

Vucic- Svecla

Vuçiq i përgjigjet Sveçlës: Do ta shohim kush kë do ta arrestojë, qesh mirë kush qesh i fundit

mickoski

Mickoski: Po digjem nga dẽshira për zgjedhje, do ti fitojmë 61 deputetë

MUHAMERI

Kush do të votoj në zgjedhjet e ardhshme?

Kreshnik Bekteshi

Bekteshi: Paga minimale do të rritet për 10%

INFO

NA NDIQ