Borxhi i jashtëm publik vazhdon të rritet ndjeshëm në Maqedoninë e Veriut . Të dhënat për këtë vit tregojnë rritje të mëtutjeshme të obligimeve ndaj kreditorëve të jashtëm.
Nga i gjithë rajoni, situata më kritike duket në Maqedoninë e Veriut, sa i përket nivelit të borxhit të jashtëm në raport me Prodhimin Bruto Vendor.
Sipas të dhënave zyrtare, borxhi i jashtëm i Maqedonisë së Veriut është 58.3%, duke iu afruar nivelit prej 60% që është një nivel kritik sipas standardeve ndërkombëtare.
E keqja është se borxhi i jashtëm nuk ka gjeneruar vende të reja pune apo zhvillimin e sektorëve të industrisë.
Nga të gjitha shtetet e rajonit, Kosova ka borxhin më të ulët të jashtëm, sipas të dhënave nga Ministria e Financave e Kosovës. Me 580 milionë euro detyrime të jashtme, Kosova është e vetmja që nuk kalon as 1 miliardë euro borxhe të jashtme në rajon, ndërsa ky borxh përbën rreth 6.87% të PBV-së kosovare. (INA)