Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut do të rritet edhe më tej. Javën e kaluar, Ministria e Financave njoftoi se është përgatitur një Strategji e re Fiskale e Shtetit për periudhën 2025-2029. Nga informacionet e disponueshme thuhet se pritshmëritë e autoriteteve janë që borxhi publik me nivelin prej 66.4 për qind deri në vitin e ri do të ulet në periudhën në vijim. Duke marrë parasysh se Prodhimi i Brendshëm në vitin 2023 ishte 13 miliardë euro, kjo i bie që borxhi do të jetë 8 miliardë e 632 milionë euro, apo afër 9 miliardë euro, shkruan gazeta Koha.mk.
Lufta kundër ekonomisë gri dhe rritja e arkëtimit të fondeve buxhetore, pra mbushja e arkës së shtetit, renditen si prioritete të shtetit. “Në vitin 2024 do të arrijë përfundimisht një nivel prej 66.4% dhe në vitet në vijim do të ulet gradualisht si rezultat i konsolidimit gradual fiskal dhe në vitin 2029 do të jetë nën kufirin e përcaktuar prej 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, theksohet në strategjinë fiskale.
“Gjithashtu, për të ulur rrezikun e shumës së garancive të lëshuara, përcaktohet një kufi i garancive të lëshuara dhe theksi vihet në projektet që janë të vetëqëndrueshme dhe gjenerojnë të ardhura, mbështesin rritjen ekonomike dhe mundësojnë konkurrencë më të madhe të ekonomisë vendase në suaza afatmesme”, thonë nga Ministria e Financave.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska pohon se qeveria ka plan për konsolidimin financiar të financave publike dhe zvogëlimin e deficitit buxhetor.
Nga ana tjetër, shteti duhet të kthejë gati tre miliardë euro apo 2.87 miliardë euro në tre vitet e ardhshme, për të shlyer borxhin e marrë në emër të katër eurobondeve.
Në periudhën 2025-2028 do të maturohen eurobonot e emetuara, gjë që mund të krijojë pasiguri në efiçencën e shërbimit të borxhit për shkak të rritjes së nevojave financuese të shtetit, thuhet në analizën e Entit të Revizionit apo Auditimit.
Në vitin 2025 duhet të kthehet borxhi prej 500 milion euro me afër 97 milion euro kamata, në vitin 2026 do të kthehen 700 milion euro nga viti 2020 me 154 milion euro kamata, në vitin 2028 do të kthehen 700 milion euro të tjera nga viti 2021 me afër 80 milion euro kamata, dhe në vitin 2027 do të kthehen 500 milion euro me 140 milion euro kamatë nga viti 2023. Revizioni më tej thekson se Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk tregon nevojat reale bruto për financimin e shtetit, gjë që çon në zvogëlimin e transparencës dhe paraqitjen jo të plotë të të hyrave dhe shpenzimeve në buxhet. (INA)