Brad Pitt ka tërhequr vëmendjen në një mbrëmje bamirësie kur ofroi plot 120 mijë dollarë për të kaluar një mbrëmje me aktoren Emilia Clarke, por jo për një takim romantik.
Aktori synonte të fitonte një ankand humanitar që i jepte mundësinë të shihte një episod të serialit legjendar “Game of Thrones” në shoqërinë e aktores që luante rolin e Daenerys Targaryen.
Në ngjarjen e organizuar nga Sean Penn për të mbështetur ndihmat për Haitin, morën pjesë shumë figura të njohura të Hollywood-it, përfshirë Leonardo DiCaprion, Jeff Bezosin, Arnold Schwarzeneggerin, Kit Haringtonin dhe Lena Dunham.
Në një moment, edhe Harington, që luante Jon Snow në serial, ofroi t’i bashkohej fituesit të ankandit, duke e bërë garën edhe më të nxehtë.
Pavarësisht ofertës së majme prej 120 mijë dollarësh nga Pitt, një pjesëmarrës anonim e kaloi atë me një ofertë prej 160 mijë dollarësh, duke fituar mbrëmjen.
Emilia Clarke ka rrëfyer më vonë se ndjeu keqardhje që Pitt nuk arriti të fitonte.
