Britania e Madhe e përjashtoi Huawein nga rrjeti 5G

0

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka urdhëruar që pajisjet e kompanisë kineze Huawei të hiqen plotësisht nga rrjeti 5G i Britanisë së Madhe deri në vitin 2027, njofton REL.

Vendimi është një sinjal se prodhuesi më i madh i pajisjeve të telekomit në botë, nuk është i mirëpritur në Perëndim dhe pritet të nxisë zemërimin e Kinës.

“5G do të ketë rol transformues për vendin tonë, por vetëm nëse kemi besim në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës mbi të cilën është ndërtuar. Pas sanksioneve amerikane kundër Huawei dhe këshillave teknike nga ekspertët tanë, qeveria ka vendosur se është e nevojshme të ndalohet Huawei nga rrjetet tona 5G”, tha sekretari britanik për digjitalizim, Oliver Dowden.

Një zëdhënës i Huaweit tha se ky është një lajm zhgënjyes për këdo që mban një telefon celular në Mbretërinë e Bashkuar.

Siç raporton agjencia Reuters, ky zëdhënës ka thënë se e ardhmja e kompanisë në Mbretërinë e Bashkuar është politizuar, dhe se kjo ka të bëjë me politikën tregtare të SHBA-së dhe jo çështjet e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara tash e sa kohë kanë diskutuar me vende të ndryshme në botë për, siç kanë thënë, rrezikun që sjell bashkëpunimi me kompaninë kineze Huawei.

SHBA-ja është e bindur se kjo kompani bashkëpunon me qeverinë kineze.

Pompeo: Partia Komuniste e Kinës, kërcënimi më i madh i kësaj epoke
Në muajin shkurt, Shtetet e Bashkuara zgjeruan padinë kundër gjigantit kinez të telekomit, Huawei, duke e akuzuar atë për një plan, “të vjetër me dekada”, për të vjedhur teknologji nga firmat amerikane.

Prokurorët thanë se Huawei ka shkelur kushtet e partneritetit me kompanitë amerikane dhe se ka vjedhur sekrete tregtare, si kodi burimor dhe teknologjia robotike.

Këto i shtohen një liste të akuzave të tjera të ngritura nga SHBA-ja, vitin e kaluar.

Sipas atyre, Huawei ka shkelur sanksionet e SHBA-së dhe ka vjedhur teknologji nga kompania amerikane T-mobile.

Më parë, Mbretëria e Bashkuar kishte vendosur të bashkëpunojë me kompaninë kineze, mirëpo në nivele të kufizuara.