Britania, gati të ndërhyjë në Ballkan: Të shmangim me çdo kusht destabilizimin!

Pjesëmarrësit e Samitit të Demokracisë së Europës Juglindore, që po mbahet në Mal të Zi, dënuan ashpër njëzëri agresionin rus në Ukrainë, po kërkuan gjithashtu vëmendje shumë më të madhe për Ballkanin Perëndimor.

Ata nënvizuan nevojën për shmangien e destabilizimit në rajon. Në Samitin me temën “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan” , thotë REL, marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkan Perëndimor, Stuart Peach dhe më vonë pritet që këtij samiti t’i drejtohet dhe i dërguari amerikan për rajonin, Gabriel Escobar.

Stuart Peach deklaroi se Mbretëria e Bashkuar qëndron në krah të Ballkanit Perëndimor dhe është e gatshme të reagojë në rast të pasojave të luftës.

“Ne duhet të jemi të lëvizshëm dhe të gatshëm për të reaguar. Askush nuk mund të jetë i qetë në rajon (Ballkanin Perëndimor) kur bëhet fjalë për pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës dhe as t’i injorojë ato. Ne jemi të ndjeshëm ndaj faktit se lufta në Ukrainë u parapri nga luftëra tjera në Europë”, ka thënë Peach, duke shtuar se siguria kolektive është kyçe.

“Si aleatë të NATO-s, ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e sigurisë kolektive. Ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitetet e vendeve të rajonit, përmes sundimit të ligjit dhe politikave të forta dhe në këtë mënyrë, të ndërtojmë qëndrueshmërinë në përballje me situatën në të cilën ndodhemi”, u shpreh ai.

Lajçak nga ana e tij u shpreh se “do të marrim parasysh veprime konkrete kur të vendosim për të ardhmen e këtij rajoni dhe të secilit prej vendeve të tij”./Tch