Bruksel: Të shfrytëzohet procesi i skriningut dhe vendi të përqendrohet në reforma

Në Bruksel vazhdon mbledhja sqaruese për Kapitullin 24, Drejtësi, Liri dhe Siguri, në të cilën Komisioni Evropian do ta prezantojë korpusin e ri të BE-së acquis të miratuar në periudhën pas vitit 2018-2019. Ndërsa në Bruksel deri më 27 shtator do të zhvillohen takimet në kuadër të procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut.

Procesi i shqyrtimit analitik të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut, i njohur si “screening” ka të bëjë me plotësimin e standardeve dhe të kërkesave që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut që të bëhet anëtare e BE-së. Procesi i shqyrtimit analitik të legjislacionit ka nisur me të ashtuquajturat “vlera themelore” të BE-së, që lidhen me sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, reformat në administratën publike dhe menaxhimin e financave publike.

Eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji dërgoi porosi se tani është më e rëndësishme që të gjithë në Maqedoninë e Veriut të qëndrojnë pas së ardhmes evropiane të vendit dhe të ndihmojnë në procesin e bisedimeve.

Varheji, në takimin dje në Bruksel me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq kanë biseduar për procesin e skriningut të vendit me BE-në, si dhe aktivitetet e ardhshme në procesin e bisedimeve për anëtarësim dhe situatën aktuale politike në Maqedoninë e Veriut.

“Në moment real dhe kyç e konfirmuam perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Tani është më e rëndësishme që të fokusohemi te reformat dhe të qëndrojmë në rrugën evropiane. Është obligim dhe detyrë e jona që i kemi ndaj qytetarëve, që të sigurojmë prosperitetin dhe përparimin e vendit”, tha Mariçiq në takim.

Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, tha se qeveria do të luftojë për të arritur dy qëllime të rëndësishme – qëllimin tonë të jashtëm politik për anëtarësim në BE, që të mos mbetet vetëm në letër dhe vetëm në teori, dhe e dyta është të mbrojmë identitetin tonë si maqedonas.

Vendi zyrtarisht filloi procesin e skriningut për përputhshmërinë e legjislacionit të Maqedonisë me atë të BE-së në datën 15 të këtij muaji. Ky proces pritet të përfundojë në nëntor të vitit 2023. Zëvendëskryeministi Mariçiq tha se deri më tani kemi respektuar 40 për qind të legjislacionit dhe në disa fusha jemi në nivel të njëjtë ose më të mirë se shtetet që kanë negociuar me vite, si Serbia dhe Mali i Zi.