Ish-negociatori special i Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, Vllado Buçkovski në një intervistë për median bullgare “Nova” theksoi se nuk është patjetër që vendi të hyj në BE, nëse duhet të pranohet se Goce Dellçev është bullgar.
Ai këtë e theksoi duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë do të ndodhë nëse Sofja insiston që Shkupi të pranoj se revolucionari Dellçev është bullgar, dhe ky të jetë kusht për anëtarësimin e vendit në BE.
“Për Goce Dellçevin kam shumë respekt për mënyrën se si jemi rritur ne maqedonasit – me mitin, legjendën e apologjetit të madh. Por, nga ana tjetër, Goce luftoi për liri jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Edrene. Ai është revolucionari i madh, që mendoj se është figura që tregon historinë tonë të përbashkët. Pra, nëse na vihet një kusht për të pranuar që Dellçevi është bullgar në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, atëherë nuk duhet të bëhemi kurrë anëtar të BE-së. Mendoj se kjo nuk është rruga që na çon te qëllimi “, tha Buçkovski.(INA)