Bugajski: “Vuçiç ka mësuar të luajë lojë me Perëndimin”

Analisti i njohur politik Janus Bugajski ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç për politika pro-ruse me qëllim të destabilizimit të rajonit duke thënë se njëra nga mënyrat për të eliminuar ndikimin rus është minimi i rolit të tij.

Bugajski në programin “E di që ju e dini” në Gradska RTV të Malit të Zi, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se nuk mendon se Serbia do ta njohë Kosovën.

I pyetur se si është e mundur që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të perceptohet njëkohësisht nga presidenti rus Vladimir Putin dhe përfaqësuesit amerikanë si partner, ai u përgjigj se ka iluzione të caktuara në lidhje me Vuçiç.

“Është pothuajse si një pyetje – nëse dikush shkakton më shumë telashe, atëherë ai merr më shumë vëmendje dhe pastaj merr më shumë lëshime. Vuçiç ka mësuar të luajë atë lojë me Perëndimin, veçanërisht me BE-në, por mendoj se ky është fundi. Vjen një moment kur e shihni se Vuçiç është një forcë kaq subversive dhe shkatërruese në rajon”, tha Bugajski.

Partnerët perëndimorë, thekson ai, do të fillojnë të bëjnë presion mbi presidentin Vuçiç.

“Ka shumë gjëra nga të cilat ai varet, duke përfshirë paratë nga Perëndimi, paratë nga Bashkimi Evropian, të cilat mund të reduktohen nëse nuk i plotëson disa standarde që duhet të përmbushë”, tha Bugajski.

Ai e sheh nismën e Ballkanit të Hapur si një lloj marrëveshjeje ekonomike dhe deri diku politike që i përshtatet disa vendeve të BE-së që nuk duan që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në union.

“Ky është një treg i vogël dhe përpjekja për të krijuar një lloj zone të veçantë është një hap drejt një lloj organizimi politik që mund të përdoret dhe dominohet nga një fuqi, përmes së cilës Rusia mund të ushtrojë ndikim në rritje në rajon. Kjo është arsyeja pse Rusia e mbështet atë. Gjithçka që ndihmon në ndërtimin e të ashtuquajturës botë serbe – kjo nuk do të thotë se të gjithë duhet të jenë serbë, por se ata e shikojnë Serbinë si një partner më të vjetër – e gjithë kjo i sjell dobi Rusisë sepse ndihmon në injektimin dhe përhapjen e ndikimit të tyre në rajon”, tha Bugajski.

Ai ka theksuar se politika serbe po kthehet në mesjetë dhe se mendon se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.

“Vuçiç ka qenë propagandist i Millosheviçit, tani është propagandist i Putinit. Por besoj se strategjia e Vuçiç është që të përpiqet ta vonojë sa më shumë këtë proces, të marrë sa më shumë lëshime në fusha të tjera nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mbajtur mbështetjen ruse për të penguar hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, dhe në të njëjtën kohë dhe për të dekurajuar pesë anëtarë të BE-së, të cilat nuk e njohin Kosovën. Kështu që unë mendoj se është një problem i madh për të cilin nuk flitet sa duhet. Janë pesë shtete që ende nuk e njohin Kosovën si shtet dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit”, tha Bugajski.

Ai ka theksuar se duhet të ketë më shumë presion për të eliminuar ndikimin rus në rajon.
“Një nga mënyrat për të eliminuar ndikimin rus është minimi i rolit të Vuçiç si destabilizues rajonal, gjë që ai fatkeqësisht është”, përfundoi Bugajski.