Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se çmimet e pemëve dhe perimeve po rriten në mënyrë të pakontrolluar në periudhën para festave, andaj konsiderojnë se paralajmërimi i Qeverisë për ngrirjen e çmimeve të pemëve dhe perimeve duhet të zbatohet sa më parë në mënyrë që të mund të planifikojnë shpenzimet.
Aktualisht, në treg një kilogram qepë ka arritur në 80 denarë (1.3 euro), një kilogram tranguj kushton 100 denarë ose 1.6 euro, ndërsa një kilogram domate shitet 140 denarë (2.2 euro).
“Çmimet duhet ngrirë pasi e shihni sa e shtrenjtë është bërë gjithçka, çmimet janë shumë të larta. Për të përgatitur diçka speciale gjatë festave as që bëhet fjalë”, thotë Kërste Nedellkovski, pensionist.
“Gjithsesi kjo është praktikë që ndodh në vendin tonë, sa herë ka festa, rriten çmimet. Ndërkohë që tregtarët duhet të jenë më tolerantë para festave dhe t’i ulin çmimet dhe jo t’i rrisin. Shpresoj që vendimi i Qeverisë të sjellë efekte pozitive, megjithëse vlerësoj se është i vonuar”, thotë Linda, e cila punon si administratore.