Bujqit të pakënaqur me subvencionet

Iliria News Agency
Iliria News Agency

23/01/2023

Bujqit në Maqedoninë e Veriut kërkojnë rritjen e subvencioneve, pagesën e tyre me kohë, por edhe masa të tjera për nxitjen e prodhimit vendor. Në të kundërtën, ata thonë se do të detyrohen të heqin dorë nga ky profesion për shkak të pamundësisë për t’i përballuar humbjet.

Ekrem Idrizi, bujk nga Tetova, thotë se ende nuk i ka marrë subvencionet për të mbjellat e pranverës së vitit të kaluar dhe kjo e bën shumë të vështirë që të vazhdojë me të mbjellat e reja për shkak të rritjes së çmimeve për produktet bujqësore.

Plehrat për prodhimin bujqësor nuk kanë qenë kurrë më të shtrenjta, thotë ai.

Ndalimi i eksportit nga Rusia, që është ndër prodhuesit më të mëdhenj, ka rritur çmimin e plehrave artificiale për 300-400 për qind.

Nëse bujqit vitin e kaluar kanë paguar rreth 600 denarë (10 euro) për një thes 50 kilogramë, tani paguajnë 2.800 denarë (45 euro).

“Neglizhenca e shtetit është jashtë mase. Nuk ka asnjë interesim për bujqit. Dalin në media thonë se kemi bërë këtë apo atë, por në praktikë nuk ka asgjë. Unë ende nuk arrij t’i paguaj shpenzimet për mbjelljet pranverore si për misrin, grurin, elbin dhe stërpikjen… Me humbje nuk punohet dhe nëse vazhdon kështu, atëherë nuk do të merremi me bujqësi, gjithçka që kemi ose do ta pakësojmë ose do t’i shesim të gjitha”, thotë Idrizi.

Se nevojiten masa në ndihmë të bujqve e thotë edhe Tode Llazarevski, inxhinier i bujqësisë. Sipas tij, një nga rajonet më të mëdha të tokës në pjesën jugperëndimore të vendit, e njohur si “Pellagonija” është lënë pas dore, andaj edhe nevojiten masa stimuluese për t‘iu thyer bujqësisë.

“Dhjetëra vite më parë vetëm kombinati bujqësor ‘Pellagonija’ mbillte mes 8-10 mijë hektarë me grurë dhe mbi 70 mijë me misër. Ndërkohë, sot kemi një gjendje shumë të keqe. Shumë hapësira bujqësore janë djerrë, të papunuara… Kjo është për të ardhur keq kur kemi parasysh faktin se buka akoma është ushqimi kryesor për njeriun. Le të shpresojmë se shteti do të ndërmarrë masa për të nxitur prodhimet bujqësore vendore, para së gjithash tani në kohën e krizës botërore të ushqimit dhe rritjes së madhe të çmimeve”, thotë Llazarevski.

Subvencionet nuk janë të njëjta për të gjitha degët e bujqësisë. Për një hektar të mbjellë me grurë apo misër, bujqit ndihmohen me nga 100 euro për plehra artificiale dhe nëse arrijnë të marrin katër tonë për një hektar të mbjellë me grurë atëherë fitojnë edhe 100 euro të tjera. Nëse mbjellin tokën me luledielli atëherë ndihma shtetërore arrin deri në 250 euro për një hektar.

Subvencionet për blegtorët sillen varësisht nga veprimtaria, nëse merren me lopë për prodhimin e qumështit, gjedhe për mish, apo me ruajtjen e kafshëve më të imta.

Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, thotë se metodologjia e deritashme për subvencionet nuk ka dhënë efektet e pritura, pasi ka pasur raste kur ndihmë kanë marrë persona që nuk janë marrë me bujqësi apo që nuk kanë dhënë llogari për prodhimet e tyre.

Për vitin 2023 janë paraparë 113 milionë euro për subvencione, si dhe një model i ri, që kryesisht ka të bëjë me kontrolle më të rrepta, por edhe me ndarjen para kohe të një pjese të ndihmës, që bujqit të mund të nisin me të mbjellat.

“Ky vit do të jetë historik sa i përket reformës në bujqësi, pasi për herë të parë nisim me aplikimin e modelit të ri të subvencioneve në bujqësi duke aplikuar pagesën e parakohshme të ndihmës nga shteti për bujqësinë, blegtorinë, por edhe për degë tjera të bujqësisë po prodhimet vendore. Për këtë qëllim janë siguruar mbi 7 miliardë denarë apo 113 milionë euro. Bujqit mund të jetë të qetë pasi kemi siguruar mjete rekorde në ndihmë të tyre dhe atyre u mbetet të aplikojnë”, shpjegon Nikollovski.

Maqedonia e Veriut në vit prodhon 255 mijë tonë grurë, ndërsa nevojat e saj janë për 300 mijë tonë.

Sipas Nikollovskit, reforma e re ka për qëllim nxitjen e prodhimit vendor, në veçanti të blegtorisë, për të ndihmuar kompanitë që merren me prodhimin dhe përpunimin e qumështit.

“Modeli i ri ka për qëllim stimulimin e prodhimit vendor. Fokusi do të jetë te marrëveshjet me prodhuesit, por edhe me bujqit e vërtetë apo me ata që prodhojnë. Jemi të përkushtuar t’i stimulojnë përmes pagesës së shpejtë të subvencioneve, por edhe te lehtësirat për të aplikuar”, shton Nikollovski.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në vitin 2021 janë regjistruar 516.733 hektarë tokë bujqësore që krahasuar me vitin 2020, është ulur për 0.1 për qind./REL

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

ziadin sela

Ziadin Sela: Kosova dhe Shqipëria të na marrin shembull, të bashkohen

trupat britanike kosove

“Blindohen” kufijtë e Evropës, 20 mijë ushtarë në gatishmëri kundër Rusisë – ja “zona e nxehtë’ ku mund të nisë konflikti

lukaku

Lukaku e preferon kalimin në Saudi Pro League

google

Google do të fillojë të tarifojë për atë që përdorim çdo ditë?

Moti_26-780x470-1

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

gordana siljanovska davkova

VMRO-DPMNE mban tubimin e parë, Siljanovska – Davkova: Ne jemi europianët e vërtetë

rrjete sociale instagram facebook tik tok

Instagram po teston një veçori të re

guardiola

​Guardiola: Haaland është sulmuesi më i mirë në botë

bilall kasami

Kasami prezanton një prurje të re në Çair (FOTO)

INFO

NA NDIQ