Buka, vaji dhe mielli tip-400 do të shiten pa marzhë fitimi. Shitësit me pakicë janë të obliguar që këto produkte t’i shesin me çmimin blerës nga prodhuesit deri më 31 maj. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se shitësit me pakicë dhe marketet nuk do të kenë humbje sepse bëhet fjalë vetëm për 3 produkte, thjesht nuk do të kenë fitim.
“Bëhet fjalë vetëm për 3 produkte. Shumica e tregtarëve me pakicë, marketet ose supermarketet kanë mijëra produkte tjera që do të thotë se nuk do të kenë humbje nga këto produkte, nuk do të kenë vetëm fitim sepse flasim për 3 produkte”, tha Bekteshi.
Do të zvogëlohen marzhat e profitit edhe për produktet e tjera ushqimore. Marzha e kufizuar tregtare ulet nga 10 në 4% në tregtinë me shumicë dhe nga 5 në 3% në tregtinë me pakicë për këto produkte.
-sheqerin e bardhë
-qumësht lope me përmbajtje të yndyrës prej 2,8%, 3,2% dhe 3,5%
-mishin e freskët
-produkte të mishit si sallame, salsiçe dhe suxhukut
-djathë i bardhë i lopës dhe djathë i bardhë i përzier i lopës dhe deles
-gjizë lope
-oriz i bardhë vendor
-vezë pule dhe
-shpageta dhe makarona nga gruri i butë dhe ndonjë grurë tjetër
Nga sot vendi ka ndaluar edhe eksportin e vajit të gatimit, me qëllim që të kemi mjaftueshëm për nevojat vendore. Bekteshi tha se vetëm për 8 ditë janë eksportuar 330 tonë vaj gatimi në vendet fqinje dhe në BE.
“Kuptohet që ne jemi për tregti të lirë, i respektojmë të gjitha marrëveshjet që i kemi nënshkruar dhe forumet që jemi anëtarë, megjithatë së pari duhet të kujdesemi për tregun vendor. Kjo është masë e përkohshme”, tha më tej Bekteshi.