Bukën do ta blejmë gjithnjë e më shtrenjtë, tregtarët: Është rritur gruri në bursa

Rritja e çmimit të bukës duket se nuk do të ndalet. Përpunuesit e miellit thonë se nuk janë ata përgjegjës pasi është gruri ai që është shtrenjtuar. Ata pretendojnë se nuk kanë kryer asnjë abuzim në treg pavarësisht akuzave të deputetit Erion Braçe që foli publikisht për monopol në treg.

Çmimi i miellit pritet të rritet deri ne 10%. Ky ndryshim sipas Adi Haxhiymerit, kreut të Shoqatës Industriale të Përpunimit të Miellit, vjen si pasojë shtrenjtimit të grurit dhe e njëjta situate pretendohet të jetë dhe në tregjet ndërkombëtare.

“Çmimi i grurit në bursë është rritur nga 220 dollarë toni që ishte tetorin e vitit të kaluar në 360 dollarë toni.”

Faktor tjetër është edhe ndryshimi që kanë pësuar çmimet e produkteve mbështetëse.

“Është rritur çdo gjë, transporti, ambalazhet me 30%”.

Haxhiymeri flet edhe për reagimin e Autoritetit të Konkurrencës, duke thënë se asnjë shkelje nuk është vërejtur prej tyre, madje shtojnë se janë të hapur për të gjitha verifikimet e mundshme.

“Lavdëroj punën që bën Autoriteti i Konkurrencës jo vetëm për miellin por të gjithë produktet e tjera. Jemi të interesuar që të vazhdojë këtë procedurë që ka nisur.”

Çështja e çmimit të miellit dhe të bukës tërhoqi edhe vëmendjen e Erjon Braçes, i cili denoncon se shtrenjtimi është në dorën e 4 operatorëve të mëdhenj.

Por kreu i Shoqatës Industriale të Përpunimit të Miellit këshillon Braçen të shohë bursat.

“Braçe të hapë bursën pastaj të flasë. Është pa sens. Nuk është e vërtetë. Nuk ka kartele dhe nuk ka pasur kurrë. Të marrë informacion dhe pastaj të shkruajë.”

Autoriteti i Konkurrencës thotë se hetimi për këtë çështje ka zgjatur rreth një vit dhe se për arsye të sekretit nuk mund të tregojë më shumë për veprimet dhe hapat që do të merren më pas.

Ndërkohë Shoqata e Bukës thotë se çmimi i këtij produkti nuk mund të përcaktohet nga asnjë institucion pasi çdo subjekt llogarit shpenzimet dhe detyrimet e përmuajshme./OraNews